Prishtinë, 12 shkurt- Kryeministri Agim Çeku ngjarjet në protestën e të shtunës i vlerësoi tragjike dhe nga të cilat nuk duhet të përfitojë askush. "Zhvillimet e fundjavës kanë qenë tronditëse për të gjithë ne. Ndodhi ajo që më së paku i duhej Kosovës", tha në fjalimin e përjavshëm radiofonik kryeministri Çeku, për ngjarjet në të cilat nga plagët vdiqën dy të rinj.
Ai thotë se nga jeta e tij e deritashme ka mësuar se asgjë nuk është më e çmueshme sesa jeta e njeriut. Dhe ky ishte motivi që e ka shtyrë të kërkojë fillimin e menjëhershëm të procesit hetimor, të pavarur dhe transparent, për zbardhjen e rrethanave. Çeku tha se ajo që dihet është se dhuna prodhon dhunë.
"Në një përballje ku logjika i lë vendin ndjenjave të pakontrolluara, rezultati bëhet dramatik", theksoi ai.
Më pas kryeministri përkujtoi se vendi ndodhet në momente kyçe të historisë, ndërsa bëri thirrje për harrimin e të kaluarës.
"Nuk duhet ta lëmë të ardhmen të vuajë nga traumat e së shkuarës. Shteti që ne po ndërtojmë nuk do të jetë një shtet ku ligji është selektiv. Shteti që ne po ndërtojmë nuk do të ngritet mbi mohimin e vlerave dhe normave demokratike që janë garancia për zhvillim. Shteti që po ndërtojmë do të jetë shtet i cili respekton dhe mbron institucionet demokratike që janë të shenjta dhe të paprekshme për çdo vend. Do të jetë shtet që do të përfaqësojë dhe mbrojë besnikërisht interesat e të gjithë qytetarëve".
Çeku tha se të shtunën pati sjellje të anarkistëve. "Pamë një episod të përsëritur, të dhunshëm, të rreziqeve që sjell një frymë kur disa bartës të ideve anarkiste - revolucionare, vazhduan të shpallin fajtorë të gjithë ata që me besimin e dhënë me votën e lirë punojnë për t'i ofruar një të ardhme më të mirë këtij populli", tërhoqi vemendjen Çeku, ndërsa shtroi dilemën se kush e bën "zhvillimin paqësor të pamundur, e bën revolucionin e dhunshëm të pashmangshëm".
Çeku thotë se vendi s'ka nevojë për revolucionarë. "E Kosova nuk ka nevojë për revolucion. Revolucion ndaj çkafit? Për të arritur ku? Në emër të kujt? Kosovës nuk i duhet konflikti. Nuk ka as arsye, as cak dhe as objektiv për dhunë", theksoi ai, pavarësisht dyshimeve që mund të kenë qytetarët, qoftë politike, ekonomike apo sociale.
Ai porositi për adresimin e shqetësimeve janë në Grupin e Unitetit, në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës. Procesi politik, diplomatik dhe institucional nëpër të cilin po kalonë vendi, tha ai, është rruga e vetme e duhur për realizimin e aspiratës shekullore të popullit tonë për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. "Ndjej keqardhje që jo të gjithë ndajnë të njëjtën bindje" u shpreh Çeku.
Kryeministri bëri të qartëse pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj janë rezultat i pashmangshëm i këtij procesi, ndërsa ngjarjet e të shtunës duhet të shërbejnë si moment reflektimi dhe se nuk duhet të shfrytëzohen a keqpërdoren për qëllime përfitimesh politike të një grupi a një individi, "duke akuzuar qeverinë apo ndonjë institucion tjetër qeveritar". "Një gjë e tillë është shumë e pandershme", tha ai, duke porositur që të punohet bashkarisht në tejkalimin e pasojave të kësaj ngjarjeje dhe të gjitha energjitë të drejtohen në përmbylljen sa më të shpejtë të procesit për pavarësinë e Kosovës. "Kosova e re pashmangshëm do të jetë një shtet demokratik, funksional, ku sundon ligji dhe rendi", nënvizoi në fjalimin e tij të sotëm Kryeministri Çeku.