Kalaja e Rozafes
06.04.2006 19:49
 

Kisha-Xhami: Dilema e madhe e Rozafës

Nga Admirina Peçi

Reportazh në ndërtesën ku luteshin të krishterët dhe muslimanët

Fytyrën nga Lindja. Të heshtur e në paqe i luteshin Zotit. Mëngjeset e të premteve ishin të rralla në Shkodrën e mesjetës. Katolikët dhe myslimanët e këtij qyteti e adhuronin Zotin , i faleshin e luteshin për mirëqenie, begati e harmoni në të njëjtën ndërtesë. Gjashtë ditë të javës shërbente për myslimanët si xhami, e të premten në mëngjes, katolikët kryenin meshën tradicionale në këtë ndërtesë të respektuar nga i gjithë populli shkodran. Ishte një marrëveshje që e respektonin të gjithë. Vetë Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliu, e kishte firmosur me dorën e tij rinovimin e kësaj leje zyrtare. Dhe banorët ishin në harmoni mes njëri-tjetrit. Kjo ndërtesë me historinë e saj të rrallë, quhet në rrethin e specialistëve të trashëgimisë, si Kisha e Shën Stefanit. Por meqë ajo ka shërbyer për të dy komunitetet fetare e kanë quajtur kisha-xhami.

Nisin polemikat

Historia e saj është e rrallë. Por ishte e heshtur për shumë e shumë vite. U rishfaq këto ditë, si për të na kujtuar se ajo që ne quajmë harmoni fetare në Shqipëri, ka nisur të kriset. Një projekt restaurimi për këtë ndërtesë të rrallë, ka ngjallur befas polemika. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Marcie Ries shkoi në një nga ditët e fund tetorit të këtij viti në Shkodër për të takuar përfaqësuesit e dy komuniteteve mysliman e katolik në Shkodër. Qëllimi i vizitës lidhej me investimin e Ambasadës Amerikane për restaurimin e kishës së Shën Stefanit. Por menjëherë pas kësaj vizite, myftiniu i Shkodrës ka reaguar kundër këtij projekti. Sipas myslimanëve, ?nëse ndërtesa restaurohet, ajo duhet të restaurohet si xhami. Së fundi si xhami ka funksionuar?. Katolikët duan ta restaurojnë si kishë. ?Ajo u ndërtua dhe funksionoi si kishë, - thonë ata, - dhe vetëm në kohën e pushtimit turk u tjetërsua?. Të krijohet ideja se këta dy komunitete, po luftojnë për një godinë që do t'i shërbejë besimit të tyre. Në fakt kisha e Shën Stefanit, apo kisha-xhami, është një monument kulture, gati e rrënuar, që gjendet në brendësi të kalasë së Rozafës, afërsisht ën pozicionin qendror të saj. Është pa çati dhe me fragmente muresh që janë shembur prej kohësh.

Te kisha-xhami

Ky objekt i rrallë vlen të vizitohet. Sidomos një mëngjes të fund nëntorit, kur shiu që i ka larë gurët e kalasë, sapo ka pushuar. Një dritë e bukur dhe e kthjellët e ka veshur gjithë hapësirën dhe asnjë zë nuk ndihet në botën e rrënojave.

Ngjitemi rrugës së kalldrëmtë për në kalanë e Rozafës. Te porta, roja, një mesoburrë i quajtur Ismet, na shoqëron për te objekti. Futemi në kala dhe e kalojmë oborrin e parë. Teksa ndjekim rruginën e gurtë, shfaqet oborri i dytë ku ndodhet edhe kisha-xhami. Në vështrimin e Ismetit fërgëllon një pasion i madh për të folur rreth xhamisë. ?Unë jam mysliman, thotë ai, - e kjo nuk mund të bëhet kishë. A e sheh atë minaren aty, ja dhe vendi ku rrinte hoxha, ja dera e minares, shkallët... dhe na udhëheq nëpër shkallinat e ngushta, ku duket sikur të merret fryma. Janë plot 40 shkallë që vinë si një spirale deri në krye. Jemi ngjitur në majë të minares. Që aty pamja është madhështore. Jo vetëm ndërtesa që shtrihet poshtë këmbëve tona, por të gjithë ambientet e kalasë që aty lart, duken si në pëllëmbë të dorës. Me Lindjen pas shpine, përpara kemi dy ambientet e ndërtesës. Në të djathtë është hapësira ku besimtarët kryenin ritet fetare dhe i luteshin Zotit. Është në përmasat afro 17 X 8 metra. Ndërsa në fund të saj, për nga Lindja, është apsida në përmasat 5 X 4. Aty priftërinjtë përgatisnin meshat. Në të majtë të këtij ambienti, është hajati i ndërtuar kohë më vonë, pas ndërtimit të minares, kur kisha nisi të funksionojë si xhami. Përmasat e saj janë 17 me 8 metra.

Tipologjia planimetrike e ndërtesës, është karakteristike e stilit perëndimor që nga shekulli XIII që janë të rralla në Shqipërinë e veriut, por që hasen edhe gjetiu si p.sh kisha e Shëna Premtes, në Çetë.

Kthimi i kishës në xhami

Mendohet se minareja është shtuar rreth vitit 1405, në kohën kur osmanët e patën në duart e tyre qytetin e Shkodrës për disa vjet së bashku me Ulqinin dhe Lezhën. Vendosja e garnizonit osman në këtë periudhë dhe stili i minareve selxhuke bashkëkohëse me minaren e kuqe në kalanë e Beratit të vitit 1389, si dhe vendosja e saj në anën fundore të xhamisë dhe jo në të djathtë hyrjes, karakteristikë për xhamitë osmane të shekullit XV, sipas specialistit të mesjetës në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Sulejman Dashi, janë argumente që mohojnë vitin 1479 si datë rindërtimi të këtij objekti, vetëm për faktin e njohur, se osmanët e morën kalanë përfundimisht atë vit. Sipas Sulejman Dashit, adoptimi i kishës në faltore të tipit xhami, nuk ka kërkuar ndryshime strukturore të brendësisë. Kjo për faktin se orientimi i mihrabit koincidonte, me atë të mjedisit të altarit në apsidë. Ky mjedis ka qenë i mbuluar deri vonë me kupolë nervaturash të kryqëzuara të stilit romano-gotik. Në vitin 1660-1664 Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliu, në punimet rindërtuese e restauruese në strukturat e kalasë kreu ndërhyrje edhe në xhami duke shtuar hajatin me arkadë në anën jugore. Ai porositi nga Venediku edhe një mekanizëm sahati akustik, për të cilin siç shprehet vetë në një dokument kishte ngritur para xhamisë një kullë të lartë ?orlozhi?. Por, me gjithë shndërrimet që iu bënë objektit, banorët e këtij qyteti e ruajtën harmoninë fetare. Shkresa e firmosur nga Veziri i Shkodrës, ku rinovohej e leja zyrtare për të mbajtur meshën çdo të premte në mëngjes, tregon se banorët ende të përqendruar në kala, kishin mirëkuptimin maksimal mes tyre.

Rizgjimi i dyshimtë

Sulejamn Dashi thotë se ky objekt fetar, ka shumë kohë që nuk ka funksionuar as si kishë dhe as si xhami. Për afro 100 vjet ajo u shndërrua në depo baruti, dhe në vitin 1878 u shemb çatia dhe disa fragmente nga muret e saj. Që nga ky vit, ky objekt ka qëndruar në këtë formë që e shohim edhe sot. Tashmë ka mbërritur momenti i rizgjimit të tij. Specialistët e Institutit të monumenteve të Kulturës, kanë përgatitur një projekt të hollësishëm restaurimi. Ata qeshin kur i pyet për një konflikt të mundshëm fetar mos komuniteteve në Shkodër. ?Është absurde. Ai objekt është në kala, në një zonë muzeale, është monument kulture i mbrojtur nga shteti dhe aty nuk mund të kryhen shërbesa fetare?. Synimi i vetëm i tyre, është restaurimi që do të përfshinte të gjithë etapat e jetës së këtij objekti, :ndërtimin e kishës, ndërtimin e minaresë, ndërtimin e hajatit dhe të gjithë gjurmët e ndërhyrjet që janë bërë në shekuj. Në fund fare, specialistët mendojnë ta kthejnë në një muze historik për kalanë e Rozafës. Por kjo qartësi e projektuar, nuk mbërrin deri në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë. Ata mendojnë dy rrugë. Do të kthehet në Kishë, apo në xhami? ?Nëse e bëjnë kishë, do t'i vëmë tritolin?, - thotë një punonjës mysliman në kala. Pastaj pak i trembur nga deklarata e fortë thotë, ?jo, ky është monument kulture?. Pëllumbi, një roje brenda ambienteve të kalasë (thotë se është 38 vjeç), ëndërron kthimin e këtij objekti në xhami. ?Para 4 vjetësh ishte këtu kryemyftiu i Stambollit. Kam bërë edhe një fotografi me të. Ishte me origjinë shqiptare dhe tha: Nëse jam gjallë, do të vij ta ringre këtë xhami?. Në fakt ai beson ende se kryemyftiu i Stambollit do të vijë një ditë për të mbajtur premtimin. Megjithatë nuk e di, nëse jeton ende apo jo ky premtues që e bën ta shohë me optimizëm çdo ditë godinën rrënojë.

Për të nuk ka rëndësi se kur vjen. Mjaft mos ta kthejnë në kishë. Njësoj si ai mendon edhe kolegu i tij po mysliman, Ismeti. E kuptojmë këtë ndërsa dëgjojmë rrëfimin e tij në fund të udhëtimit tonë, tek zbresim rrugën e kalldrëmtë, lëmë pas oborrin e dytë dhe sterat e ujit mesjetare dhe i afrohemi portës së kalasë. Ismeti na thotë se një ditë, në kala erdhën një grup murgeshash. ?Mendova se do të vizitonin kalanë. Por pak më vonë, pashë se ato kishin shkruar tek xhamia dhe po luteshin. Shkova dhe iu bërtita, i nxora jashtë. Ato nuk kanë pse të luten në xhami!?.

Kisha të tjera

Në dokumentet mesjetare në Shkodër përmenden edhe një sërë kishash dhe kuvendesh të tjera të cilat tani nuk ruhen më, si Shën Maria, Shën Apolinari, Shën kryqi, Shën Kolli, Shën premtja, Gjithë shenjtorët, Shën Vlashi dhe Shën Pjetri.

Restaurimi

Specialistët e monumentve të kulturës prej kohësh mendojnë e projektojnë për ndërhyrje restauruese në këtë objekt të veçantë.

Qëllimi i rëstaurimit të këtij objekti është që ai të shpëtojë nga degradimi i mëtejshëm dhe të kthehet nga një rrënojë arkeologjike në një objekt të vizitueshëm dhe të përdorshëm për qëllime kulturore, siç mudn të jetë në të ardhmen ngritja e një muzeu historik për kalanë e Shkodrës.

Vendndodhja

Kisha e Shën Stefanit, ndodhet bri rrugës kryesore të qytetit mesjetar, shumë të populluar brenda kalasë, e cila lidhte portën kryesore me kështjellën rezidenciale. Është ndërtesa më e lartë e ruajtur në këtë zonë, në një kohë që ndërtesat e tjera rreth saj janë rrënuar tërësisht. Tani rreth kishës së Shën Stefanit ndodhet një numër i konsiderueshëm sterash mesjetare që i përkisnin banesave të dikurshme apo që shërbenin për përdorim publik

Kalaja e Rozafës

Kalaja e Shkodrës e njohur edhe si kalaja e Rozafës, gjendet në lartësinë rreth 130 metra të krehstës së kodrës homonime me nëj mur rrethues rreth 880 metra. Arkitektura e kalasë është e organizuar me tre oborre ndër të cilët më i rëndësishëm është ai i kapitenerisë, ku në rrjedhën e historisë ishte vendosur guvernatori i qytetit.


Na shkruani