IMK-ja ka përcaktuar statusin e tyre në bazë të një studimi të specialistëve vlonjat
Nis përcaktimi për ndërhyrjet emergjente
Gjatë muajit nëntor 20 objekte, që u përkasin periudhave të ndryshme të historisë, në qarkun e Vlorës, u shpallën monumente kulture. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Novruz Bajrami, është shprehur se dhënia e statusit për këto objekte u miratua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Kjo si rezultat i studimit që realizuan specialistët vlonjatë të drejtorisë rajonale për këto objekte. Ata përcaktuan godinat më me vlere në historinë antike, mesjetare dhe moderne, në qarkun e Vlores. Mes këtyre objekteve, Bajrami veçoi godinën e ish- prefekturës në qytetin e Vlorës, banesën e Eqerem Bej Vlorës, shkollën publike numër 1, godinën ku sot është vendosur Banka Kombëtare Tregtare, ish-godinën e bashkisë, sot Muzeu Historik i qarkut, banesat e Dogajve dhe Kulajve në lagjen “Varosh”, sahatin e qytetit, shkollën jopublike numer 1, godinën ku janë vendosur bashkia dhe keshilli i qarkut etj. “Pjesa më e madhe e këtyre objekteve, me vlera arkitektonike e historike, janë ndërtuar në fillim të shekullit XX dhe në to ruhen mjaft mirë karakteristikat dhe elementet arkitekturore baze”, - thotë Bajrami. Sipas tij, synimi i specialistëve të Drejtorise Rajonale të Monumenteve të Kulturës, është ruajtja dhe promovimi i vlerave të qendrës historike të qytetit mbi 2000 vjeçar të Vlorës. Për këtë arsye, prej disa ditësh ka nisur dhe është në proces, hartimi i një projekti ku do të përcaktohen nevojat më emergjente për rehabilitimin dhe mirëmajtjen e objekteve të sipërpërmendura. Kësaj ndërhyrjeje i paraprin, një studim tjetër afatgjat. Ky vendim e rrit edhe më tej, numrin e përgjithshëm të objekteve të shpallura “monument kulture”, në këtë qark. Bajrami thotë, se në rrethin e Vlorës ndodhen me dhjetëra vlera monumentale të pashpallura, për të cilat po punohet për t’i përfshirë në planet e së ardhmes. Disa prej tyre janë, “Guri me qiell”, në fshatin Vranisht, kisha e Shën Gjergjit, në fshatin Tërbaç. Por, krahas kësaj, Bajrami thotë se, mes 77 objekteve të shpallura monument kulture, perfshihen edhe objekte që nuk kanë asnjë vlerë për shkak të amortizimit të plotë. “Kompleksi i banesave në fshatin Amonicë, banesa e Gjokeajve në fshatin Drashovicë, apo banesa e Ali Pashë Tepelenës, në fshatin Gumenicë, nuk ekzistojnë më, apo janë amortizuar mbi 70 përqind”, thotë drejtori Bajrami. Paralelisht me këtë, ai shpreh shqetësimin për mungesën e financimeve për mirëmbajtje, për grupin e banesave karakteristike në Himarë-Fshat, apo në disa lagje të qytetit të Vlorës, megjithëse ato prej kohësh, kanë statusin, “monument kulture”.
Studimi
Këto objekte janë shpallur monument kulture nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, pas një studimi që realizuan specialistët vlonjatë të drejtorisë rajonale për këto objekte.
Statusi
Në muajin nëntor, 20 objekte në qarkun e Vlorës u shpallën monumente kulture. Disa prej tyre janë godina e ish-prefekturës në qytetin e Vlorës, banesa e Eqerem Bej Vlorës, shkolla publike numër 1, banesat e Dogajve dhe Kulajve në lagjen “Varosh” etj.