Dikush që ka patur rastin të njihet me shkrimet e mia për shqipen standarde, me analizën kritike të bërë prej meje historisë së formimit të saj, ndoshta do të befasohet nga titulli i këtij shkrimi. Po e vërteta është se ky titull është marrë nga artikulli im i parë kontestues për historinë e formimit të shqipes standarde i botuar në dhjetor të vitit 1992.
Pra, edhe pse ne kemi mbajtur e vazhojmë të mbajmë një qëndrim kritik ndaj shpjegimeve të dhëna nga gjuhësia zyrtare e pasluftës për historinë e formimit të shqipes standarde, si edhe disa praktikave në këtë drejtim, e kemi vlerësuar gjithmonë e do të vazhdojmë ta vlerësojmë edhe në të ardhmen shqipen standarde si vlerë kombëtare. Dhe shqetësimi ynë i vërtetë ka qene dhe mbetet problemi i zhvillimit e pasurimit të kësaj vlere kombëtare sot dhe në të ardhmen. Po kjo nuk mund të arrihet pa njohur më parë historinë e formimit shqipes standarde. Pikërisht për këtë mendojmë se ka qëne e domosdoshme të fillohet me analizën kritike të shpjegimeve e praktikave të derisotme me qëllimin e vetëm që t’i hapet rruga zhvillimit e pasurimit të saj të mëtejshëm, gjë që nuk do të mund të arrihej duke u nisur nga shpjegimet e praktikat e deriatëhershme të gjuhësisë zyrtare.
Pra, kohë të reja, shpjegime e vlerësime të reja, të nevojshme për të krijuar hapsirën e diuhur për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të shqipes standarde. Pra, sot, pas kapërcimit të qëndrimeve e praktikave të ngurta të zbatuara nga gjuhësia e pasluftës, është plotësisht e mundur të shkohet me tutje përpara drejt zhvillimit të shqipes standarde në përputhje me zhvillimet e sotme kombëtare e ndërkombëtare në të gjitha nivelet. Për mua problemi i zhvillimit të shqipes standarde është problem i gjithë shqiptarëve kudo që janë, i të gjitha institucioneve shqiptare kudo që janë, qofshin këto të niveleve arsimore e kulturore, akademike a thjeshtë zyrtare. Sigurisht secili në mënyrën e tij dhe në masën e detyrave e përgjegjësive të tij. Pra, problemi gjuhësor shqiptar është problem i përmasave e niveleve të mëdha dhe si i tillë ai mund të zgjidhet vëtëm me pjesëmarrjen a përfshirjen e të gjithëve. Mirëpo, në të vërtetë, duke gjykuar nga veprimtarit konkrete të këtyre viteve të fundit del se kjo përmasë e këtij problemi nuk njihet ose nuk mirret në konsiderat. Disa « gjuhëtarë », duke mbiçmuar « rolin » e tyre në këto zhvillime, kanë vazhduar të ndjekin, metodën e përjashtimit ose të monopolizimit të problemit. Ata dhe të tjerë, duke keqpërdoruar besimin e shqiptarëve tek institucionet, në një mënyrë ose në një tjetër, e kanë penguar procesin e zhvillimit të shqipes standarde. Dhe kjo është e kuptueshme kur me pikëpamje, qëndrime praktika të vjetra synohet të zgjidhen probleme të reja shumë më të ndërlikuara se ato të deritanishmet. Është krijuar hapsirë edhe për disa praktika korruptive që rrezikojnë jo vetëm ta ngadalsojnë procesin e zhvillimit e formimit gjuhësor të shqiptarëve po edhe ta kthejnë prapa.
A kemi ne sot një strategji të zhvillimit të shqipes standarde në veçanti dhe të formimit gjuhësor të shqiptarëve në përgjithësi ? A kemi ne sot një projekt tërësorë ne nivel vendi e pastaj kombëtar për veprimtaritë teorike-shkencore dhe ato praktike në këtë fushë ? A e dimë ne sot se ku është zhvillimit i shqipes standarde në veçanti dhe të formimit gjuhësor i shqiptarëve në përgjithësi, se çfarë po bëjmë realisht dhe si po e bëjmë ose se cilat janë të metat, pengesat ose vështirësit që duhet të kapërcehen për përmirësimin e formimit gjuhësorë të shqiptarëve, a jemi mbledhur këto vite për të bërë analizën kritike të këtij procesi apo kemi vazhduar të mbajmë kumtesa e referate për sukseset e arritura pas luftës në studimet gjuhësore. Mua më duket se sot ndodhemi në një etapë të re të historisë së kombit tonë, po edhe të shqipes standarde. Dhe si çdo etapë e re edhe kjo na vë të gjithëve para përgjegjësive të reja, zgjidhja e të cilave nuk mund të bëhet më me teori e metoda të vjetra dhe duke u mbyllur, po duke u hapur, duke shtuar komunikimin dhe transparencën në të gjitha nivelet, pra, duhet ndryshim edhe në qëndrimin ndaj shqipes standarde, të kësaj pasurije kombëtare të krijuar e të trashëguar nga kontributi i brezave që meriton jo vetëm të ruhet, po edhe të zhvillohet e të çohet më tutje, po me me një politikë gjuhësore gjithëpërfshirëse që ka në thelbin e vetë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.
Duhet, pra, rishqyrtuar problemi në të gjithë kompleksitetin e tij duke u përqëndruar, sipas nesh, në trajtimin e dy problematikave kryesore :
1. çështje teorike e praktike të zhvillimit të shqipes standarde;
2. çështje teorike e praktike të formimit gjuhësorë të shqiptarëve.
Në prolematikën e parë parë, ndër të tjera, themelore janë problemet e standardizimit dhe problemet e zhvillimit e pasurimit të mëtejsëm të shqipes standarde; në problematikën e dytë themelore janë problemet e formimit gjuhësorë në të gjitha nivelet e shkollimit, problemet e zbatimit me përpikmëri të normës së shqipes standarde në të gjitha nivelet e përdorimit të saj në teritore të ndryshme të botës shqiptare. Për këto duhet të modernizohen edhe metodat e kërkimit. Problemet, pra, janë të shumta dhe shumëdimensionale. Si të tilla ata nuk zgjidhen as me një të rënë të sëpatës as nga disa individë « të shquar ». Kjo është një problematikë shumë e gjërë që kërkon vetëdijësimin dhe angazhimin e të gjithë institucioneve shkencore e arsimore të botës shqiptare dhe të individëve me formim gjuhësorë të vetmjaftueshëm për ta çuar përpara këtë proces.