Sikur të vdekurit të dëgjonin
“Sikur të vdekurit të dëgjonin” drama e autorit shqiptar Gëzim Alpion, do të ketë premierën në Mac Theatre në Birmingam në 7 dhe 8 shkurt. Trajtimi i azilantëve nga Kosova në Britaninë e Madhe dhe çështja e Kosovës janë dy momentet kryesore mbi të cilat është ndërtuar vepra e lektorit të Sociologjisë në Universitetin e Birmingamit, i larguar nga Shqipëria prej vitit 1985. Regjisori Marcus Fernando e sjell këtë dramë si produksion i kompansië “Dreamscape Productions” me mbështetjen e Këshillit Anglez për Artet. Në rolin e Lekës, personazhit kryesor, do të jetë aktori i njohur anglez Richard Attlee (nip i ish-kryeministrit Britanik Clement Attlee). Aktorja kyesore Tina Hofman është nga Kroacia, dhe regjisorja asistente Dushka Radosavljeviç është serbe. Dhe pikërisht për shkak të këtij kryqëzimi me artistë nga rajoni, regjisori i shfaqjes është shprehur se ka shumë gjasa që kësaj drame t’i merret më e mira e mundshme. “Nëse ndokush mendon se të lësh vendin tënd, të origjinës është e lehtë, atëherë kjo dramë e re që ngre debat për azilantët dhe refugjatët, ndoshta atëherë do t’ju bëjë dyshues”,- thuhet në komentet e prezantimit të veprës para premierës.
Sipas autorit tek Sikur të vdekurit të dëgjonin “çështja e emigracionit është trajtuar pa marrë në mbrojtje korrektësinë politike, kaq e përhapur sot në politikë, shkenca sociale dhe teatër”. Personazhet e dramës janë idealistë naivë: ata zhveshin para vendasve shpresat e tyre të hershme, zhgënjimin e pafund dhe aktet tragjike individuale. Ata nuk tregojnë keqardhje për veten dhe nuk e presin as nga të tjerët. Kjo dramë jep mundësinë të shohësh se ç’do të thotë të jesh refugjat dhe azilant, të “përgjosh” brengat e atyre “të huajve” që kaq shpesh vendasit i shohin si statistika, parazitë, dhe si kërcënim për jetën e rehatshme. Deri tani drama konsiderohet si një vepër që do t’ia prishë paksa “humorin” spektatorit, atij që e ka parë me sy jetën e refugjatëve në Angli.
Autori i Sikur të vdekurit të dëgjonin, Gëzim Alpion, u lind në vitin 1962. La Shqipërinë në 1985 për të ndjekur studimet në Universitetin e Kajros e për t’i vijuar ato në Universitetin e Durhamit në Angli. Aktualisht ai jeton në Birmingam. Prej vitit 1993 emri i tij është shfaqur herë pas herë me artikuj në shtypin e njohur britanik.
Sa për kompaninë “Dreamscape”, që po e prodhon këtë vepër të autorit shqiptar, u krijua në vitin 2001, dhe ka vënë në skenë dramaturgji nga Harold Pinter apo Edward Albee.
E. D