 |
|
|

Koha për ndryshim ... shkronjash
|
Pushteti i ri, së paku do të na ndryshojë dy shkronjat që po na bëjnë të humbim e të ngatërrojmë, si mos më keq, dy tingujt tanë, /ë/ dhe /ç/! Sa vjen e më tepër po thellohet ngatërresa e këtyre dy tingujve, sidomos /ë/ me /e/, si në shkrim, si dhe në të folurin shqip—sidomos këto vitet e fundit, që kush nuk shkruan e kush nuk flet. Deri edhe publikimet e të tre pushteteve të pavarur, të qeverisë, ligjvënësit (Kuvendi) dhe të gjyqësorit (gjykatat etj.), janë së bashku në këtë ngatërrim, i ngatërrojnë lëmsh këto katër tinguj të shkretë të gjuhës sonë aq të dashur. Ka marrë liri të plotë të shkruarit pa /ë/ dhe pa /ç/. Deri dhe spikeret e masmediave i ngatërrojnë këto tinguj: njëra thotë “ka qenë” e tjetra “ka qënë”, “fushë e gjerë”—”fushë e gjërë”, “në qendër”—”qëndër”, kështu vërshon lumi i masakrimeve të shqipes. Ata që duhet ta parandalonin, Instituti i Gjuhësisë, Ministria e Arsimit, kanë “dhjetra vite” që i lajnë duart si Pilati: “ne e kemi thënë fjalën tonë, qeveria duhet të zbatojë ligjin”, apo “e ku po e zbatojnë ligjin shqiptarët, që ta zbatojnë për gjuhën!”. Ka ardhur koha për ndryshim shkronjash, së paku për dy prej tyre duhen edhe shkronja alternative (kemi shkruar për këtë problem, edhe muaj më parë, por pak kush ka lëvizur vendit!). Po japim dy ndryshime, që sigurojnë që asnjë titër në ekran, asnjë dokument, as me makinë shtypi e as me pajisje elektronike, të mos shtypet pa përfaqësimin e dy tingujve (fonemave) në fjalë; e kjo duke përdorur vetëm kombinime shkronjash standard, që merren nga alfabeti latin standard, a b c d e f g h i j k l m n o p q r s t u v x y, pra shkronjat që praktikisht i kanë të gjitha pajisjet e prodhuara për Amerikën, Italinë, Francën, Gjermaninë, Spanjën, etj.
1 Alfabeti alternativ
Kur nuk shkruajmë dot shkronjën /ë/ apo /ç/, fare mirë mund të shkruhet në vend të tyre /ee/ dhe përkatësisht /cs/. Nuk dimë të ketë ndonjë pajisje ku merret mundim të shkruhet shqip, që mos t’i ketë këto shkronjat /e/, /c/ dhe /s/, ndërkohë që shkronjat /ë/ dhe /ç/, shumë shpesh nuk i gjejmë dot!
Ja pra ku u “shpik” mënyra për të mos i ngatërruar këto katër tinguj—pa ligje dhe urdhëresa qeveritare. Nuk e zgjidh problemin kokëfortësia që ose do të shkruhet shqipja me /ë/ dhe /ç/, ose më mirë të mos shkruhet fare! Praktikisht, ka qenë ky qëndrim kokëfortë, i specialistëve, i gjuhëtarëve tanë, shkaktari që shqipja po shkruhet duke ngatërruar tingujt e saj—kur autoritetet nuk japin zgjidhje, njerëzit detyrohen të improvizojnë, t’i thërrasin nevojës!
E kundërshtojnë këtë zgjidhje, ata “që i duan aq shumë shkronjat e Kongresit të Manastirit”, sa sakrifikojnë edhe gjuhën shqipe për të mos i konkuruar ato. Shumë shtete i kanë dubluar shkronjat e “kongreseve të tyre”. Kështu e kanë bërë gjermanët, danezët, e shumë të tjerë, që kanë mundësi ta bëjnë. Ka disa alfabete dhe gjuhë që nuk e kanë bërë, sepse praktikisht nuk e bëjnë dot. Këto gjuhë janë të detyruar të përdorin se s’bën, ose shenjat diakritike (bishta e pika poshtë e lart shkronjave), si polonishtja, etj. ose shkronja të tjera, e shkrimi me alfabete alternative është praktikisht i pamundur për to, sepse zgjatet dhe komplikohet shumë shkrimi. Por ne shqiptarët, e kemi fatin që gjuha jonë mund të shkruhet fare mirë dhe lehtë, vetëm me shkronjat standard të alfabeteve latinë, pra edhe pa /ë/ dhe /ç/, përse mos ta bëjmë xhanëm!
Ju rekomandojmë të shkruani me alfabetin alternativ, sa herë s’keni zgjidhje tjetër, pa pritur miratime nga askush, njësoj si shkruajmë pa /ë/ dhe /ç/, pa patur miratim nga askush. Alfabeti alternativ i transmeton këto dy tingujt, nuk i vret ato, siç e bën shkrimi pa to.
Masmediat elektronike, sidomos në tekstin që u japin spikereve, duhet të përdorin /ee/ dhe /cs/, nëse nuk kanë /ë/ dhe përkatësisht /cs/. Një spikere që do të mësohet me /ee/-të, kur fjalën “një”, do ta shohë të shkruar “njee” (e jo “nje”), nuk do të bëjë kurrë gabimin ta lexojë “njE” (si “pe” Korçe); apo të lexojë “KuvËndi”, kur do t’i vijë e shkruar “Kuvendi” e jo “Kuveendi” (si “na” Vlora”); apo të lexojë “kE “ (si “ka” Shkodra) kur t’i vijë e shkruar “kee” e jo e “ke”. Jemi të bindur se me t’u filluar praktika e shkrimit me /e/ dhe /ee/, nuk do të dëgjoni më spikere të improvizojnë në kundërshtim me gjuhën standard.
U bëjmë thirrje edhe të gjithë organeve të pushteteve, që të praktikojmë alfabetin alternativ kur nuk shkruajnë dot me /ë/ dhe /cs/. Në çdo moment, teksit me /ee/ dhe /cs/, mund të zëvendësohet me /ë/ dhe /ç/—me kompjuter bëhet fare lehtë, automatikisht për punë sekondash. Kurse një tekst i shkruar vetëm me /e/ dhe /c/, nuk kthehet dot në një tekst me /ë/ dhe /ç/! Mos të gënjejë mendja njeri se vërtetë nuk bëhet dot automatikisht me kompjuter, por bëhet me dorë, se ai di t’i dallojë! Si dallohet, p.sh. mbiemri i një shokut tonë në Amerikë, që e shkruan “Gellci”? A është “Gëllci”, apo “Gëllçi”, apo “Gellci”, apo “Gellçi”?!
2 Alfabeti i Ri
Në fakt, ka ardhur koha të bëjmë një ndryshim rrënjësor në të shkruarën tonë, gjë që do të na zgjidhte “njëmijë e një” probleme me shkrimin, sidomos do t’u zgjidhte punë njerëzve tanë që jetojnë jashtë shteti—u hapëm, s’kemi ç’bëjmë tani. Ja një zgjidhje që propozojmë, që gjuha shqipe të mund të shkruhet me “të gjithë alfabetet e botës”,
Alfabeti i Ri:
- Të ketë vetëm 26 shkronja, vetëm shkronjat a b c d e f g h i j k l m n o p q r s t u v w x y. Dyshkronjëshat të mos jenë shkronja të veçanta, por bashkime dy shkronjash të veçanta që japin tingujt e njohur të alfabetit të sotëm, dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh-pra shqipja njësoj, do të ketë po 36 tinguj, por jo 36 shkronja!. Edhe renditja e shkronjave, të jetë standard.
- Të gjithë shkronjat të jenë njësoj si alfabeti zyrtar i sotëm, përveç tre shkronjave që do të ndryshohen si vijon: /ë/ që do të bëhet /f/, /ç/ që do të bëhet /cs/ dhe /f/ që do të bëhet /w/.
Alfabeti alternativ (zgjidhja 1), e zgjat shkrimin e shqipes nja 9%, prandaj edhe e konsiderojmë zgjidhje emergjence, nga halli, dhe jo përfundimtare. Me Alfabetin e Ri, shkrimi shqip, jo vetëm nuk zgjatet, por do të shkurtohet rreth 2% krahasuar me ç’është sot, pra në çdo 100 faqe libër, do të kemi 2 faqe më pak se sot.
Gjermanët ndërruan nga alfabeti gotik, në latin, turqit nga ai arab në latin, etj. Edhe tani vonë, këto 10 vitet e fundit, kanë ndërruar alfabetin e tyre, spanjishtja, norvegjishtja, danezshja, irlandishtja etj. Përse mos ta ndërrojmë edhe ne: “kokfwortfsia fshtf ves, ndryshimi fshtf virtyt”—kjo e fundit, në thonjëza” u shkrua me Alfabetin e Ri, bëni zëvendësimet /f/ me /ë/, dhe /w/ me /f/, që të mund ta lexoni; mësohet fare lehtë!
Le të shpresojmë se, me këtë “Alfabetin e Ri”, t’i kemi shtyrë për të menduar gjuhëtarët tanë, dhe për të ndryshuar! Natyrisht, para se ta publikojmë këtë propozim në Gazetë, kemi bërë studime që na kanë kushtuar me qindra orë pune, e që ua vëmë në dispozicion: mjafton të drejtohen në bkopliku@infinito.it
|
|
|

|
 |