Nga Muzafer Xhaxhiu
06.04.2006 19:56
 

Gazetarë dhe publicistë në një libër

Në shumësinë e botimeve të kryera gjatë këtyre viteve të fundit, tërheq vëmendjen e merituar vepra “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (Fjalor enciklopedik) hartuar nga një grup profesionistësh të llojit me kryeredaktor prof. dr. Hamit Boriçin.
Është një vepër kjo, në të cilën shfaqen rreth 1 200 emra gazetarësh e publicistësh, me shënimet përkatëse, duke filluar që nga viti 1848. Në të janë përfshirë emra të njohur të gazetarisë, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora. Për të arritur këtu është dashur të kryhet një punë e madhe hulumtuese nëpër arkiva, nëpër biblioteka kryesisht, dhe ç’është më e madhja është dashur të shfletohej një mori organesh të ndryshme të shtypit, dhe të mendohet se sa janë të gjindshme sot gazetat, revistat dhe periodikët e ndryshëm që janë botuar sot e 160 vjet më parë. Dhe në këtë hark kohor 1 200 emra gazetarësh e publicistësh të shtyjnë të përfytyrosh një veprimtari të gjerë botuese që ka pasqyruar përditshmërisht jetën e vendit në dinamikën e saj. Në këtë vështrim do të thoja kjo veprimtari ka sjellë periodikisht copëza të një historie të shkruar e të pashkruar, e cila sot në ditët e një pluralizmi të brishtë diskutohet mbarë e prapë; shprehje kjo popullore për të thënë “mbarë e mbrapsht”.

Fjalori enciklopedik në fjalë i gazetarëve dhe publicistëve shqiptare është një “memento” që na sjell në kujtesë hallka të një zinxhiri të artë, që vjen me emrat e mëdhenj të rilindësve tanë, të De Radës, Naimit, Abdylit, Samiut, Çajupit, Shahin Kolonjës, Sali Nivicës, Sevasti e Parashqevi Qiriazit, Namik Delvinës, Abdyl Kuçit, Asdrenit etj. Ca më vonë shquajmë katër të mëdhenjtë e letërsisë shqiptare, Fan Nolin dhe Konicën, Fishtën e Mjedën dhe krahas tyre Ndoc Nikajn e Pashk Bardhin, Milto S. Gurën, Çekrezin, Kristo Floqin, Omer Nishanin etj. për të ardhur në vitet ’30, kur në jetën intelektuale e gazetareske, në radhët e gazetarëve e publicistëve të njohur si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Ismet Toto, Nebil Çika, Stefan Shundi, Ollga Plumbi, Musine Kokalari etj. hynë emra të rinjsh përparimtarë që sollën në shtyp tema dhe probleme aktuale: Petro Marko, Nonda Bulka, Kristaq Cepa, Dhimitër Shuteriqi, Misto Treska, Sterjo Spasse, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Shefqet Musaraj etj.
Figura të reja gazetarësh e publicistësh dolën në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare të cilët morën pjesë me armë në dorë në Luftën ANÇ dhe mbajtën gjallë me shkrimet e tyre luftarake organet e shtypit ilegal si “Zërin e Popullit” (gusht 1942), “Bashkimin” (mars 1943), “Kushtrimin e Rinisë” etj. Një zhvillim të madh në shtypin ilegal të kohës morën pamfleti dhe shkrime të tjera kundër pushtuesve barbarë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Pas çlirimit të vendit shtypi shqiptar hyri në një fazë të re zhvillimi si domosdoshmëri e pasqyrimit aktiv të transformimeve të vrullshme të jetës së vendit në të gjitha aspektet. U pa e nevojshme të institucionalizohej shtypi dhe të vihej mbi baza teoriko-shkencore, krahas praktikës së trashëguar nga e kaluara. Për këtë u krijuan degë të posaçme të gazetarisë dhe publicistikës në fakultetet e Histori-Filologjisë dhe në atë të Shkencave Politiko-Juridike të Universitetit të Tiranës. Më vonë degë të tilla u hapën edhe në universitete të tjerë në rrethe. Krahas kuadrove të formuar në vend, mjaft gazetarë u përgatitën edhe jashtë, kryesisht në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Evropës Lindore. Kjo për sa i takon anës profesionale, sepse në botën e shtypit erdhën edhe shumë të rinj dhe të reja që kanë kryer studimet për gjuhë letërsi sidomos, dhe kjo kuptohet. Gazetaria në kuptimin e gjerë të fjalës, me mënyrën e saj të pasqyrimit të realitetit, me stilin, gjuhën, është gjini e artit të të shkruarit.

Gazetarí, shtyp, do të thotë kulturë enciklopedike. Gazetari cek probleme nga më të ndryshmet, ndaj dhe programet e kësaj Dege universitare përfshijnë lëndë si gjuha, letërsia, historia, ekonomia, mjeshtëria e të shkruarit, filozofia etj., përveç atyre të karakterit ngushtësisht profesional, siç janë historia e shtypit llojet e ndryshme të shkrimeve gazetareske etj.
Ne kemi pasur prej dekadash dhe kemi gazetarë të mirë, që kanë punuar dhe punojnë me profesionalizëm në redaksitë e shtypit të përditshëm, gazetarë kumtues-korrespondentë në qendër dhe në rrethe, në radio e televizion.
Shtypi është parë si një mekanizëm i fuqishëm për lëvizjen e shoqërisë në rrugën e progresit, ndaj dhe i është kushtuar kujdes i veçantë administrativisht dhe profesionalisht. Në periudhën nga Çlirimi deri në vitin ’90 numëroheshin 120 gazeta të përditshme, të përkohshme, revista, buletine të llojeve të ndryshme. Në ditët tona ka akoma më shumë dhe përditë shohin të dalin gazeta të reja jo vetëm në qendër, por edhe në rrethe dhe bashkë me to rritet edhe numri i të rinjve dhe i të rejave gazetare, madje këto të fundit zënë një vend të konsiderueshëm në mjetet ndërmjetëse të komunikimit masiv, ajo që sot është bërë zakon të quhet medie. Dhe jo vetëm kaq, femrat gazetare dallohen për pasionin ndaj profesionit që kanë përqafuar si dhe për punën e mirë që kryejnë në faqet e shtypit dhe në radio e televizion, duke mbuluar rubrika të ndryshme të karakterit ekonomik, politik e sidomos ato letraro-artistike e kulturore në përgjithësi.
Në këtë Fjalor Enciklopedik ku parakalojnë ca më shumë se 1 200 emra, nuk janë të gjithë gazetarë të mirëfilltë. Një vend me peshë midis tyre zënë shkrimtarët, të cilët vijnë natyrshëm në arenën e gazetarisë dhe të publicistikës për vetë specifikën e krijimtarisë së tyre që ata lëvrojnë, ashtu si dhe gazetarët dhe publicistët kalojnë po aq natyrshëm për të hyrë në arën e letërsisë; dhe mandej shumica e tyre janë autorë veprash letrare të gjinive të ndryshme.

Në këtë konglomerat kanë pjesën e tyre për bashkëpunim me organet mediatike dhe përfaqësues të profesioneve të ndryshëm si mësues, mjekë, inxhinierë, agronomë, ekonomistë etj., për mendimin e të cilëve ka interes të informohet opinioni publik. Në shtyp, si institucion demokratik social-kulturor është i mirëpritur kushdo që kërkon të shprehë një mendim që thjesht informon apo ngre një problem që zgjon interes në shoqërinë civile. Naimi vlerësonte gazetarinë si veprimtari të domosdoshme për formimin e opinionit shoqëror, për të ngjallur dhe ushqyer ndjenjën e patriotizmës, ndërsa gazetat i quante si “vatër” mësimi dhe edukimi për breznitë.
Me rëndësinë që i jepet, shtypi nuk duhet lënë në rrjedhën e spontanitetit, por duhet organizuar administrativisht si qelizë kërkimesh shkencore në orbitën e albanologjisë pranë Degës së Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
Kjo bërthamë hulumtimesh studimore do të shtronte e do të kërkonte të shënonte shumë probleme që i dalin shtypit në këtë periudhë të ndërlikuar tranzicioni. Një punë e tillë do të rriste dhe nivelin e mësimdhënies në auditor. vetë fakti që Dega e gazetarisë ka lëvizur, një herë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dhe një herë në atë të Shkencave Politike Juridike, për t’u rikthyer te Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, të jep shkas të ngresh pyetjen “ç’është shtypi”, pse tërë këto lëvizje ç’orientuese.
Ky është një Fjalor që ka si qëllim të na njohë me emrat e gazetarëve dhe të publicistëve që nga viti 1848 deri në ditët tona, me fare pak të dhëna rreth kohës kur kanë jetuar dhe me ndonjë grimcë nga veprimtaria e tyre. Në këtë vështrim “Fjalori” është një udhërrëfyes, një nismëtar për cilindo që do të merrej posaçërisht me profilin krijues të ndonjërit prej tyre.

Ka mjaft të rinj dhe të reja në fushën e shtypit dhe të radiotelevizionit, që punojnë me pasion dhe aftësi, që nuk janë përfshirë në Fjalor, por jo për faj të tij, që edhe kështu arrin në 500 faqe të formatit të madh. Në një ribotim të mundshëm, siç është menduar, ndofta do të duhej të bëheshin disa ndreqje: zërat me shkrimtarë-gazetarë sidomos, por edhe me të tjerë, të çlirohen nga gjithçka që është e tepërt dhe që s’lidhet me gazetarinë, për t’u lënë vend gazetarëve dhe publicistëve që kanë mbetur jashtë, të harruar, ose dhe pse s’kanë dashur vetë (siç pohon botuesi). Në mjaft zëra mungojnë data e lindjes dhe të vdekjes. Të ruhet kriteri i përpjesëtimit, sepse ka gazetarë dhe publicistë të mirëfilltë, profesionistë që zënë më pak vend se ata që do t’i quanim bashkëpunëtorë anësorë të shtypit. Të ruhet kriteri i informacionit të thjeshtë në çdo zë, sepse ka raste (të rralla sidoqoftë) kur për ndonjë krijues shënohet: “i shquar-i dalluar” në këtë apo atë lloj gazetaresk etj. Duhen shënuar me meritë emra të tjerë fotoreporterësh, sepse në fjalor figurojnë fare pak.
Konkretisht, në formulimin e portretit të një gazetari shënohet se “është një nga publicistët dhe drejtuesit më të shkathët të medias shqiptare të kohës”, për një tjetër thuhet se “ka shkruar reportazhe që janë modele të letërsisë dokumentare”. Nuk është keq të vihen në dukje vlerat, por jo vetëm për tri-katër figura. Të ruhet kriteri kronologjik brenda zërit, sepse datat ngatërrohen dhe nuk e ruajnë rendin kohor, kur flitet për jetën dhe veprimtarinë e figurës.

Me një rishikim e me një punë të bërë më me nge, në një ribotim të mundshëm siç është menduar, libri me emra gazetarësh dhe publicistësh do të dilte me një nivel cilësor më të mirë. Gjithsesi edhe kështu ai dëshmon për kujtesën fisnike, për respektin dhe mirënjohjen ndaj gjithë veprimtarëve mediatikë, të cilët mendjen dhe ndjenjën e tyre e venë në mundin për t’i sjellë opinionit publik të mundshmen e asaj për të cilën ai ka interes të informohet.

Kthehu në Kulturë

Na shkruani