Shqipëria në telajot e piktorëve evropianë
Ç’përfaqësojnë 300 tablotë më të bukura me imazhe shqiptare
“Vështirë mund të gjendet një vend, vetëm nëntë ditë larg Parisit, që të jetë kaq piktoresk sa Shqipëria. Për artistët është një vend mbi gjithë të tjerët. Peizazhi i valëzuar i Veriut malor është më i ndryshueshëm se njerëzit, sepse natyra nën ajrin e rrallë të malësisë është e ndryshueshme si kameleoni: tani plot ngjyra me dritat e ylberta të agimit, pastaj nën një rrezatim të bardhë dhe blu, nën diellin e fortë të mesditës dhe shpejt e mbështjellë me mantelin vjollcë të natës.
Dhe koha që vjen e shkon, mund t´i tregojë malet e liqenjtë nën një mijë pamje të ndryshme...” Artistët e mëdhenj që e shkelën dikur herët Shqipërinë, shkruanin kësisoj për këtë vend të çuditshëm…
Këto rreshta, që prej njëzet vjetësh i ishin ngulur si gozhdë në kokë. Dhe për herë të parë u përball me një portret të mrekullueshëm të Camille Corot. Ishte mahnitur prej titullit të kësaj tabloje. “Vajzë shqiptare”. Kjo tablo konsiderohet një ndër 20 më të bukurat e artit evropian dhe ndodhet në Muzeun e Bruklinit. Kjo ishte fillesa. Studiuesi Ferid Hudhri kuptoi se duhet të niste një udhëtim, stacionet e të cilit ishin artistët më në zë të botës, ata që kishin fiksuar imazhe nga Shqipëria, në një kohë kur askush nuk e bënte këtë gjë. Vendosi të mbledhë të gjitha gjurmët e Shqipërisë në artin pamor, që nga periudha e neolitit e deri në ditët tona. Por periudha ku ai vendosi të ndalej më shumë, ishte shekulli XIX. Atëkohë në Shqipëri zhvillohej arti kishtar, ndërsa jeta reale nuk zinte vend në asnjë tablo. As personazhe, as objekte, as peizazhe reale. Artistët shqiptarë iu kthyen vonë Shqipërisë, jetës dhe ngjyrave të saj. I pari ishte Kolë Idromeno me “Motra Tone”, tablo e realizuar më 1883. E pas tij, artistë të tjerë të Rilindjes. Por deri në atë kohë, kush i fiksoi imazhet e mrekullueshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Shqipëria në një album
Janë mbledhur të gjitha në një album; veprat më të bukura të autorëve të huaj, që janë edhe krijimet më të hershme me temë shqiptare, pikturat e autorëve të Rilindjes dhe Pavarësisë shqiptare, të parat vepra ku shqiptarët pasqyrojnë jetën e tyre në art, si dhe disa nga punimet më të njohura të periudhës pas vitit ´45. Studiuesi Ferid Hudhri është munduar të realizojë udhëtimin e tij brenda këtij albumi. Ai thotë se ka qenë pak i vështirë përcaktimi i veprave të pas vitit 1945, ku ai është munduar të zgjedhë vepra që janë më pranë jetës së përditshme reale, larg skemave shabllone dhe idealizimeve propagandistike të kohës. Ndërsa të fton në udhëtimin e tij, Hudhri të kujton se midis pikturave të zgjedhura për këtë album, ndeshen edhe motive që përsëriten. Gjenden më shumë tablo që pasqyrojnë figura me veshje kombëtara, motivi më i trajtuar nga autorët e huaj dhe piktorët më të hershëm shqiptarë, si dhe peizazhe nga e njëjta krahinë apo qytet. Studiuesi Hudhri përmend disa shembuj për këtë gjë. “Shqiptarët që vallëzojnë i gjejmë të pikturuara nga francezi A. Decamps, në vitin 1835, nga kroati P. Jovanoviç, më 1893, si dhe midis dy artistëve shqiptarë K. Kodheli, më 1957 dhe F. Haxhiu, 1996, po ashtu dhe peizazhet e të njëjtit qytet, i gjejmë nga anglezët Cockerell, 1813, Eduard Lear, 1848, deri tek autorët shqiptarë F. Stamo, K. Dilo, ´50-´70, apo autorët më të rinj shqiptarë B. Ahmeti e Sh. Bengu, pas ´80-s”. Dhe në fund, pas gjithë shoshitjes, ai ka zgjedhur rreth 300 tablo, nga më të rëndësishmet për këtë libër, për të cilin idenë fillestare e dha Donika Bardha, që së bashku me fondacionin “Sorros”, kanë mundësuar realizimin e tij.
Të huajt që pikturuan Shqipërinë
Deri para gjysmës së dytë të shek XIX, artistët në Shqipëri, duke vazhduar vetëm pikturën e skemave nga jeta hyjnore, sipas kanoneve të artit bizantin, nuk arritën të krijonin thuajse asnjë imazh të plotë për pasqyrimin e botës reale, jetës së përditshme dhe asnjë peizazh nga natyra e vendit. Këtë mungesë të ndjeshme për historinë dhe kulturën shqiptare e kanë plotësuar artistët e huaj. Sipas studiuesit Hudhri, deri tani njihen me dhjetëra e dhjetëra tablo, vizatime grafike, litografi, skulptura dhe krijime të tjera që kanë qasqyruar jetën shqiptare të atyre viteve. Madje, ekzistojnë tablo ku paraqiten objekte që sot nuk janë më. Të tilla janë dy tablo të Eduard Lear, një pamje nga Gjirokastra dhe “Ura e Bahçallëkut” në Shkodër më 1848. Nga punimet më të hershme me temë shqiptare janë disa portrete të Skënderbeut, si dhe tabloja “Rrethimi i Shkodrës” i Paolo Veronezes (1528 – 1588). Portrete të Skënderbeut janë pikturuar nga disa artistë të njohur evropianë. “Mendohet që një nga gravurat ka dalë nga dora e Albert Dyrerit, një pikturë nga Rembrandi, dy nga nxënësit e tij etj. Madje, thuhet se pikturimin e parë e ka bërë Gentile Belini, gjatë kohës që Skënderbeu ishte në Itali, në ndihmë të Ferdinadit të Napolit dhe, sipas asaj tabloje, janë realizuar pjesa më e madhe e portreteve të mëvonshme”, shpjegon studiuesi Hudhri, ndërsa thotë se tablotë për Skënderbeun ndodhen në disa kështjella dhe muze të njohura të Evropës, si në kështjellat Beuregard në Francë, Bytça në Çeki, Valdburg në Gjermani, në muzeun Uffici në Firence, Muzeun e Historisë së Artit Vjenë etj. Ndërsa në tablotë e mëvonshme objekt i artistëve të huaj u bënë shqiptarët që kishin emigruar nëpër Evropë. Hudhri shënon se piktorët u tërhoqën nga kostumet, nga pamja e detaje të tjera të këtyre personazheve, të cilët joshën disa nga piktorët më të mëdhenj evropianë si Camille Corot me portretin e “Vajzës shqiptare”, Eugene Delacroix me akuarelin “Çift shqiptarësh”, Aleksej Ivanov me pikturën “Shqiptarja në derë”, Aleksandër Decamp me “Shqiptarë që vallëzojnë”, Jarosllav Çermak me dy versione të Ronmiave, Dominique Magaud me “Grua shqiptare”, Frank Buchser me “Vajzë shqiptare” dhe romantiku më i shquar francez, Leon Gerome, që ka realizuar rreth 30 tablo me motive shqiptare.
Mendohet se tablotë e Zheromit janë më të shumtat, më piktoriket dhe më të bukurat, midis gjithë koleksionit të veprave me temë shqiptare, që kanë realizuar deri më tani piktorët e huaj.
Kur e shkelën Shqipërinë
Ata e zbuluan Shqipërinë, ndërsa rendnin drejt Orientit, drejt ngjyrave të ndezura, dhe dritës së fortë të Mesdheut. Në këto udhëtime ata ndeshën peizazhe të mrekullueshme larg grisë së qyteteve të tyre të mëdha dhe pandryshueshmërisë së vazhdueshme. Kur mbërritën në Shqipëri ata u mahnitën dhe hodhën në tablo imazhe nga më të bukurat. Peizazhet nga natyra shqiptare janë të shumta në veprat e këtyre autorëve të mëdhnj. Anglezi Eduard Lear, gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri, midis viteve 1848-´49, realizoi mbi 100 tablo akuarele dhe litografi me ngjyra. Ai krijoi për herë të parë përmasat e plota të peizazhit shqiptar. “Mali i Tomorrit” dhe “Malet Akrokeraune, bregdeti i Shqipërisë”, janë dy nga peizazhet më të bukura të gjithë krijimtarisë së Lear-it, që përbëhet nga 6000 tablo, akuarele, litografi dhe vizatime.
Por në Shqipëri erdhën dhe shumë artistë të porositur nga galeritë evropiane për të realizuar tablo me motive shqiptare, si Pajo Jovanoviç që krijoi një cikël pikturash, Teodor Valerio, autor i dhjetëra tablove dhe grafikave që sot ruhen nëpër koleksionet franceze. Drejt Shqipërisë u nisën dhe autorë të tjerë të njohurr si Caton Woodville dhe Charles Cockerelle, për të ilustruar revista të njohura të kohës apo misione arkeologjike, por që u joshën nga peizazhet, jeta dhe ngjyrat e këtij vendi dhe realizuan tablo të bukura për muzetë dhe koleksionistët evropianë e amerikanë.
Në muzetë më të njohura të botës
Tani këto tablo të famshme, që gjithë befasinë e morën nga Shqipëria, janë shpërndarë nëpër botë, në muzetë dhe koleksionet më të famshme. Disa nga veprat më të njohura, me temë shqiptare, ndodhen në Muzeun e Luvrit në Paris dhe muze të tjera të Francës, në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër e koleksione të ndryshme në Angli, në Muzeun e Bruklinit dhe koleksionistëve të shumtë amerikanë, në Galerinë Tretjakov të Moskës, në Muzeun e Artit Modern të Romës, të Soloturnit në Zvicër, Benaki të Athinës etj. Për studiuesin Hudhri, por dhe shumë artdashës shqiptarë, do të ishte ëndërr të ishte një prej këtyre tablove të famshme në Shqipëri. Por edhe atje, në muzetë e famshme ku ndodhen, ato janë Shqipëri, imazhe dhe aroma, ngjyrë dhe dritë prej këtij vendi të vogël që joshi artistët e mëdhenj.