Nuk është e vërtetë që Partia Demokratike s’e ka përfshirë si zë kulturën në programin e saj politik. Me pak fjalë, ministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, përkundër thuajse gjithë deklaratave të të djathtëve të para 3 korrikut e deri në votëbesimin e qeverisë “Berisha” e quan nihilist dhe përgjithësues këtë konstatim, sepse, sipas tij, kultura “është në AND-në tonë politike”. Ministri Leskaj shpjegon për “Shekullin” politikat kulturore që do të projektojë dhe zbatojë dikasteri i tij, për të cilat një drejtori e veçantë është përfshirë posaçërisht në strukturën e re me bashkimin e dy ministrive, Turizmit dhe Kulturës. Me një karrierë në shkencat ekonomike dhe me kontribut më pak së 10-vjeçar në gjirin e të djathtës, zoti Leskaj thotë se objektiv kryesor mbetet delegimi i kompetencave institucioneve kombëtare që janë të varësi të MTKRS-së. Libri në qendër të logjikës formative, sitet arkeologjike në qendër të sensibilizimeve, muzika e rrezikuar nga dublikatet e turpshme, ngritja e një grupi pune për hartimin e projektligjeve dhe shqyrtimi i atyre të kontestuar, dyfishimi i buxhetit për kulturën qoftë edhe me ndihmën e bankave që një përqindje të fitimit ta derdhin për kulturën, rishikimi i strategjisë së zhvillimit të turizmit 2002-2012, realizimi i projektit të integruar i zhvillimit të bregdetit të Jonit me ndihmën e Bankës Botërore, janë ambicjet afatshkurtra e afatgjata të ministrit të ri që duke i përmbushur pretendon të zhgënjejë skeptikët ”duke bërë në 100 ditë aq sa ç’ka bërë ndonjë paraardhës i imi në një vit”.
Zoti Leskaj, përse e pranuat portofolin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e zotit Berisha?
Në vijueshmërinë e karrierës sime profesionale dhe politike pranimi i këtij posti më duket një rrjedhojë e natyrshme. Ky portofol është një sfidë e vërtetë ashtu sikundër kam bindjen se është një sfidë që e vlen ta përballosh. Sigurisht që ndiej përgjegjësi të plotë për veten, për institucionin dhe forcën politike që përfaqësoj. Përgjegjësia për përballjen e saj është e dyfishtë po të mendojmë rëndësinë e madhe që kanë fusha të tilla si turizmi, kultura, rinia dhe sporti. Qëllimi im është që të dalim nga stadi i konfirmimit të kësaj rëndësie në konkretizimin pra në shndërrimin e saj në vlerë shpirtërore e materiale esenciale të jetës sonë të përditshme. E kam menduar këtë ministri të administruar mirë, si promovuese dhe mbrojtëse të së bukurës. Por nga kontaktet me shumë miq të mi artistë kuptova që nuk ishte kështu; ata ishin në pritje të ndryshimit dhe mendoj që këtë shpresë atyre do t’jua bëj realitet. Kam patur gjithmonë bindjen se një qeveri e kryesuar nga Berisha, pra Partia Demokratike në pushtet, mund t’i demonstrojnë këtij populli se jemi politikisht më modernë e të ndershëm, estetikisht më të arrirë, ekonomikisht më prodhimtarë, plot respekt ndaj trashëgimisë kulturore e si e tillë edhe turistike, kozmopolitë të kujdesshëm e mirëdashës të vlerave të krijuar nga ky popull ndër shekuj - edhe kjo ishte një arsye pranimi.
Si ta kuptojmë këtë shkrirje të Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Kulturës?
Nuk duhet kuptuar si shkrirje por si një proces logjik dhe funksional. Turizmi, kultura, rinia dhe sportet rrijnë fare mirë si brenda institucionit ashtu dhe jashtë tij. Është dialektikë humane që nga zanafilla. Nuk është tabu ideja që kultura dhe turizmi të bashkëveprojnë në funksion të rritjes ekonomike të komuniteteve lokale dhe mirëqënies.
Sot shqiptarët “flenë” mbi pasuritë e tyre. Të huajt janë vazhdimisht në kërkim të një turizmi alternativ dhe të shëndetshëm, ku Shqipëria me bukuritë e pafund të bregdetit të mrekullueshëm, apo zonat alpine, përbëjnë një zbulim për ta. Në kohë të vështira, i patëm habitur shëtitësit e huaj si Bajroni apo baroni Nopça me mikpritjen tonë. Kjo cilësi etike tipike shqiptare tani na del përpara si garanci suksesi në kontaktet me botën. Po kështu, qyteteve të vjetra antike, qendrave arkeologjike, monumenteve kulturore në mbarë vendin do t’iu rikthejmë sharmin. Shqipëria e panjohur do të bëhet e njohur për botën. Njohja përveçse qëllim intelektual është edhe turistik e si e tillë krijon një sistem komunikimi vlerash të ndërsjelta e natyrisht edhe fitimprurje. Pra, kultura dhe turizmi krijojnë një binom të pakontestueshëm.
Si e shpjegoni mospërmendjen në asnjë rast të zërit për kulturën në programin politik të të djathtëve?
Përcaktimi juaj është disi nihilist dhe përgjithësues. Partia Demokratike në pushtet, në opozitë dhe tani përsëri në pushtet, e ka jetuar kulturën si identitet madhor të kombit e si gjuhën më efikase të bashkëpunimit me popujt e tjerë. Njerëzit e kulturës kanë qenë e janë prezentë me gjithçka përfaqësojnë në mendimin e djathtë. Ajo është në ADN-në tonë politike. Historia e jonë është dëshmitare e kontributit të vyer që eksponentët intelektualë të së djathtës që nga etërit e Shqipërisë e deri në këtë moment bashkëkohësie, i kanë dhënë vendit pa përjashtuar atë të të tjerëve. Theksojmë që programi për kulturën nuk është një program statik, është evolutiv si natyra e objektivit të saj. Por politikat tona kulturore dhe programi ynë për të janë krejt të qartë e më ambiciozët deri më sot. Kontakti, dëgjimi, pra thithja e mendimit nga përfaqësitë intelektuale dhe profesionistët e këtyre fushave, është një pasurim i vazhdueshëm i procesit kulturor.
Nga propaganda kulturore drejt tregut të kulturës dhe turizmit. Keni deklaruar në ditët e para se programi i ri i qeverisë synon në këtë fushë një ndryshim konceptual të institucioneve kulturore. Mund të thoni konkretisht si dhe çfarë institucionesh do të kapen nga këto ndryshime decentralizuese?
Koncepti ynë i ri për kulturën është shkëputja nga përdorimi i kulturës për qëllime demagogjike që fatkeqësisht gjatë qeverisjes socialiste ndodhi, por evidentimi i vlerave kulturore duke përdorur politika marketingu krijuese dhe efikase. Populli shqiptar idhnohet fort me demagogët, i përbuz ata pa mëshirë. Ne jemi fort të vëmendshëm ndaj kësaj ndiesie. Pra e përjashtojmë nga puna jonë logjikën e vitrinave pseudokulturore, shpëlarjen e trurit me efekte dramatike për të sotmen dhe të ardhmen apo ato aktivitete ku gjen hapësirë instikti dhe vesi e jo arsyeja. Jemi të vendosur që ta luftojmë me çdo kusht mediokritetin. Konkretisht, rivendosja e librit në qendër të logjikës formative duke realizuar botime të një game të gjerë, letrare, filozofike, historie, etnografike etj. Njohja me sitet arkeologjike, me kështjellat, me muzetë, nëpërmjet vizitave direkte, publikimit të guidave të ndryshme apo me spote sensibilizuese. Sot janë të shumtë të rinjtë shqiptarë që nuk njohin qytetet e vendit të tyre dhe për këtë mendojmë të organizojmë shkëmbime grupesh. Pra vlonjatët në Shkodër, tropojanët në Sarandë, korçarët në Kukës e anasjelltas, e sigurisht e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën e cila është akoma dashuria jonë jo fort e njohur. Do të mbështetet muzika e cila gjendet në një situatë jo komode, e rrezikuar nga pirateria pra dublikimi i cd-ive apo kasetave, si dhe stimulimi i muzikës së vërtetë shqiptare popullore apo të lehtë. Nuk mund të mbyllim më sytë ndaj një tendence banalizuese të muzikës si në tekste apo kompozimet e këngëve. Sajesa të tilla janë turpe, nuk janë muzikë. Një gjë e tillë kërkon përmirësimin e ambienteve ku bëhet punë krijuese, të kushteve në përgjithësi, të shpërblimit material si dhe një legjislacion fleksibël në ndihmë të tregut mbështetës për të cilin angazhohemi. Që t’ia arrijmë sa më shpejt, që të kemi një administratë vetëveprues dhe pranë nevojave të njerëzve, delegimi i kompetencave është objektiv parësor i yni. Partia Demokratike është parti e vizioneve perëndimore edhe në këtë drejtim, nëse e keni ndjekur fushatën tonë elektorale apo aktivitetin e qeverisë gjatë këtyre ditëve, mund të vini re që po ndërmerren hapa serioze. Institucionet që do të përfitojnë nga ky akt janë Galeria e Arteve, TOB, Biblioteka Kombëtare, Muzeu Kombëtar, Teatri etj.
Pretendoni se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë një dyfishim të burimeve financiare për kulturën. Eshtë kjo deklaratë në frymën e propagandës së 100 ditëve të para të qeverisë? Në rast se jo si mendoni se mund të arrihet kjo për dikasterin më të mënjanuar nga qeveritë e deritanishme?
Ne jemi shprehur për një dyfishim të buxhetit për kulturën, që do ta arrijmë përmes shfrytëzimit të burimeve shtetërore dhe private si edhe me mbështetjen e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare dhe do ta arrijmë. Agit-propi nuk është pjesë e mentalitetit tonë. Propaganda dhe kultura nuk bashkëjetojnë. Ai është një raport mungesash. Ajo (kultura) ka nevojë për natyrshmëri dhe qytetari, zhvillimi i saj nuk duhet të varet tek dashamirësia apo jo e ministrave. Fryma e 100 ditëve besoj po i ngroh të gjithë, qoftë ajo e qeverisë dhe ministrisë sonë në veçanti. Në këto kohë të para, jo vetëm ja kemi dalë që të respektojmë kalendarin e aktiviteteve të cilat ishin në rrezik nga bllokimi administrativ, por edhe ta pasurojmë atë me gjetje domethënëse gjatë javës së trashëgimisë kulturore Europiane, për Jubileun e Skënderbeut apo së fundi aktiviteti ndërkombëtar ”Balkanika”. Tek pyetja juaj ka një të vërtetë të madhe. Ky dikaster ka qenë më i mënjanuari, por nuk është më kështu, prurjet financiare do të kenë shumë burime vendore e donacionesh ndërkombëtare, në këto ditë p.sh. jemi në bisedime me institucione të Venecias për fototekën Marubi, nga UNESKO do të marrim mbështetje si dhe të ardhura që do të vijnë nga menaxhimi modern i institucioneve tona e pse jo në një kohë të afërt siç ndodh në vendet perëndimore t’u kërkojmë edhe bankave një përqindje të fitimit në mbështetje të kulturës. Në parlament kam hedhur idenë që do ta konkretizoj së shpejti, krijimin e lobingut të biznesmenëve, politikanëve etj., në mbështetje të kulturës.
Cila është struktura e re ministrore, administrative dhe cilat do të jenë drejtoritë më të rëndësishme në shkrirjen kulturë-turizëm?
Ne kemi bërë propozimet tona në bazë të ligjit për strukturën pranë Drejtorisë së Administratës Publike (DAP) dhe do t’ua bëjmë të ditura kur të mbyllet ky proces, pra sapo të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave. Në projektin tonë pjesa më e rëndësishme e kësaj ministrie do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Politikave për Kulturën dhe Turizmin.
Çfarë parashikon programi i 100 ditëve të para tuajat në krye të MTKRS-së? Po për projektet afatgjata?
Në këtë program paraqiten në mënyrë të detajuar objektivat kryesore, hapat legjislativë dhe veprimtaritë kryesore që do të ndermerren për këtë ndryshim të madh cilësor në punën e MTKRS për arsye kohe dhe hapësire gazetareske nuk mund t’i rendis të gjitha, por vetëm disa.
Fakti që strategjia e zhvillimit të turizmit 2002-2012 nuk u përfundua me dy pjesët e saj esenciale, atë të masterplanit të zonave prioritare të zhvillimit dhe të zhvillimit të impaktit ambiental, kërkon rishikim dhe rivlerësim të saj. Ndërsa me ndihmën e Bankës Botërore po realizohet projekti i integruar i zhvillimit të bregdetit të Jonit, imediate është nisma për të formuluar edhe projektin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit për bregdetin e Adriatikut. Ky fakt sjell si domosdoshmëri unitetin e veprimit të këtyre projekteve dhe për ta realizuar këtë ne do të ndihmojmë bashkitë dhe komunitetet lokale për mbrojtjen, ruajtjen dhe rijetësimin e burimeve bregdetare dhe kulturore. Do japim mbështetje me infrastrukturë emergjente, do të ndihmojmë ngritjen e kapaciteteve institucionale të menaxhimit, monitorim mjedisor, ndërgjegjësimin e publikut për përfitimet nga turizmi dhe jo nga emigrimi, rishikimin e studimeve urbane aktuale.
Rezultatet jo pozitive të arritura nga turizmi i diellit dhe plazhit, të cilat u justifikuan vetëm me ardhjen e turistëve masivë nga Kosova dhe Maqedonia, ritheksojnë domosdoshmërinë e turizmit kulturor, atij rural, eko-turizmit, turizmit të interesit të veçantë. Në program përfshihen edhe ndryshimet e domosdoshme të akteve ligjore e nënligjore, të cilët rregullojnë funksionimin e këshillit të zhvillimit të turizmit, për ta ngritur atë në nivelin e vendimmarrjeve të politikave dhe përmirësimin e përbërjes cilësore të tij, etj.. Ne jemi në fazën e hartimit të një strategjie për turizmin kulturor ku po studiojmë modele si Italia, Spanja, Greqia apo Kroacia, të cilat janë simbol i suksesit në këtë fushë, gjithmonë për të marrë ato elementë që na ndihmojnë në krijimin e një turizmi me identitet shqiptar, bazuar te tradita e vyer shqiptare e mikpritjes. Së shpejti do të hapim një debat me specialistë të fushave të ndryshme për vlerësimin, zhvillimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
Përsa i përket kulturës, po përgatisim një strategji afatgjatë të politikave kulturore e cila synon mbështetjen dhe inkurajimin e barabartë të arteve dhe sidomos të atyre në rrezik, shpërndarjen gjeografike më të drejtë të veprimtarive kulturore. Ajo nënkupton edhe planifikimin e një ndërhyrjeje afatgjatë në sistemin e arsimit për të penguar akulturimin e të rinjve (në bashkëpunim me MASH). Po ashtu edhe politika kulturore për integrimin kulturor të emigranteve në kulturën amtare. Natyrisht, si për rininë dhe sportet, kemi një program cilësor dhe konkret mjaft ambicioz, rezultatet e të cilit do të vihen re shpejt. Nësë dëshironi mund të tërhiqni pranë nesh këtë program dhe ta publikoni.
Janë disa ligje shumë të diskutueshëm që i kanë bllokuar disa institucione që funksionojnë sipas një formati hibrid, me njërën këmbë në ligjet dhe statutet e trashëguara nga e kaluara dhe tjetrën në gjysmëligjet reformatore të themi prej vitit ’98. Janë modelet e Teatrit Kombëtar, Operës e Baletit, dhe ligjet e pazbatuara ndonjëherë ose plotësisht, si Ligji ”Për teatrin”, ”Për kinematografinë”, apo dhe ligji ”Për sponsorizimet ”. Cili është komenti juaj për to?
Kjo është e vërtetë dhe si e tillë duhet përballuar. Ne kemi ngritur prej disa ditësh një grup pune për hartimin e projekt-ligjeve, shqyrtimin e kontestimeve të komuniteteve artistike, shqyrtimi i eksperiencave të huaja në këtë drejtim dhe aplikimi i tyre në përputhje me situatën konkrete si dhe përgatitja e një tryeze të rrumbullaktë për shqyrtimin e projekt-ligjeve.
Nuk do t’i mbyllen askujt dyert për të marrë pjesë në një debat të tillë. Në këtë rast ligji nuk duhet thjesht të përfaqësojë shumicën, por edhe cilësinë e mendimit e të garantojë funksionshmëri.
A ka projekte të ngrira nga paraardhësi juaj dhe a keni qëllim të bëni ndonjë transparencë financiare për përdorimin e deritanishëm të fondeve të ish-Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve?
Tranzicioni i gjatë i pushtetit krijoi një apati në administratë dhe një zvarritje të projekteve, ku shumë prej tyre u rrezikuan që edhe të dështojnë. Kjo dëshmon që socialistët ishin më të preokupuar për pushtetin sesa për shtetin. Ndër vendimet e para që kam firmosur ka qenë zhbllokimi i këtyre projekteve. Aktiviteti i Vjenës në të cilin mori pjesë edhe presidenti i Republikës, ekspozita me antikuare nga Muzeumi Kombëtar që shoqëroi këtë eveniment ishte pothuajse e dështuar. Ajo që duhej bërë në 2 muaj u bë në 7 ditë sepse dinjiteti i Shqipërisë ishte në diskutim jo i një aksh ministrie apo ministri. Ditët e Trashëgimisë Kulturore Europiane apo jubileu i Skënderbeut dhe së fundi Çmimi letrar ”Balkanika” ishin aktivitete të pakta dhe në koma, gati qenë të dështuara. Sa i përket transparencës ajo do të jetë e plotë që nga dita e parë. Që kur kam hyrë në zyrën e ministrit nuk i jam ndarë këtij mendimi. Në faqen e internetit të ministrisë sonë do të gjeni të gjitha tarifat financiare të çdo veprimi të kryer si dhe detaje të tjera. Në këtë kuadër po bëhet edhe një bilanc i plotë i të gjitha ambienteve që MTKRS disponon në Tiranë dhe rrethe, për të verifikuar saktësinë dhe vlerën reale të kontratave që kanë lidhur me individë, shoqëri apo institucione.
Në deklaratën tuaj të parë në parlament ju përmendni produktet kulturore si një mall që ka mbetur jashtë tregut. Si do të lehtësohet ky komunikim tregjesh ndërkulturorë dhe meqë jemi në këtë pikë cili do të jetë fati i Unionit Ballkanik, iniciativë e ish-ministrit Klosi që parashikon në njëfarë mënyre këtë komunikim ndërmjet kulturash të vendeve të Ballkanit?
E kam ndier prej kohesh këtë shqetësim nga pozitat e qytetarit apo të pedagogut e natyrisht në parlament e bëra publik ku dhe e evidentova për ta futur në rrugën e zgjidhjes. Kam filluar kontaktet me ambasadorët e akredituar në Shqipëri si Shkëlqesia e tij Januci, Richard Jones, Bourolleau dhe mund të them që kam gjetur mirëkuptim të plotë dhe vlerësim për iniciativat tona të shkëmbimit dhe transmetimit të vlerave të ndërsjellta. Ideja e ministrit Klosi qe pozitive dhe megjithëse partia e tij humbi pushtetin, ne nuk kemi asnjë hezitim për ta realizuar këtë ide dhe mendoj që së shpejti do të organizojmë një konferencë të ministrave ballkanikë të kulturës të cilës i paraprimë më ”Balkanika”-n, takim ky kaq domethënës i shkrimtarëve ballkanas.
Mendoni se deri tani qeveria ku bëni pjesë i sheh me prioritet synimet tuaja për lehtësimet fiskale në disa fusha të kulturës dhe të bizneseve turistike?
Qeveria ka dhënë mesazhe të qarta me vendime konkrete. Ajo është në përgjithësi e vendosur që ta ulë trysninë fiskale mbi të gjitha arteriet ekonomike të vendit në mënyrë që të bëhemi një vend efiçent. Nga kjo logjikë nuk bën përjashtim as turizmi e kultura. Synimet e mia nuk janë iluzione, ato janë në raport të drejtë më aftësitë tona qeverisëse.
Dhe së fundi cila është ambicja juaj e 100 ditëve të para si ministër i MTKRS-së?
Dua të theksoj që në raport me ambicjen time personale si dhe me atë të të tjerve ndaj meje që kanë patur marrëdhënie bashkëpunimi politik apo intelektual, ndihem i realizuar dhe jo i zhgënjyer. Kam patur gjithmonë një kredo vetjake: dita ime që vjen pas të mos përgënjeshtrojë atë që iku. Ajo që për të tjerët qe utopi, pra fitorja ime si deputet në Vlorë, në të vërtetë tregoi se kur synimi mbështetet mbi argumentin dhe besimin e duhur, me siguri që realizohet. Për të qenë më konkret: ambicja ime e këtyre 100 ditëve është që të mos gjej justifikime për mosrealizime, por që të shpreh kënaqësinë për mbajtjen e premtimeve si dhe të zhgënjej skeptikët ”duke bërë në 100 ditë aq sa ç’ka bërë ndonjë paraardhës i imi në një vit”.