Gjirokastër - Një varr monumental aristokrat me përmasa të konsiderueshme është zbuluar një ditë më parë në qytetin antik të Antigonesë në rrethin e Gjirokastrës. Vetëm pak ditë pas fillimit të gërmimeve, ekspedita arkeologjike shqiptaro-greke ka mundur të bëjë zbulimin e parë të rëndësishëm.
Varri monumnental i ngjashëm me atë të zbuluar disa vite më parë në krahun e majtë të superstradës Gjirokastër-Kakavijë, por me përmasa më të mëdha është gjetur jashtë mureve rrethuese të qytetit antik dhe pikërisht në pjesën ku mendohet se dikur ka qenë shtrirë nekropoli i qytetit antik epirot të Antigonesë.
Arkeologët kanë mundur të nxjerrin në dritë vetëm 20 përqind të varrit, brenda tij u gjet edhe pjesa e përparme e një parzmoreje prej bronzi, fragmente qeramike dhe bronzi të cilat do të studiohen dhe dokumentohen në vazhdim nga ekspertët e arkeologjisë. Sipas drejtorit të ekspeditës shqiptaro-greke, njëkohësisht drejtor i Muzeut Arkeologjik të Butrintit, prof. dr. Dhimitër Çondi “nga mënyra si është ndërtuar mendohet se varri që daton mes viteve 285-287 u përkiste shtresave të larta të aristokracisë dhe udhëheqësve ushtarakë. Ky varr monumental ka një dhomë dhe dy korridore në përmasa 3 X 4m, ndërsa në brendësi të varrit, i cili është i tipit të varreve të mbretërve maqedonas është gjetur një parzmore bronzi me madhësi 20 X 30 cm, pjesa e përparme që vishej nga luftëtarët në trup. Kjo parzmore i përket një udhëheqësi luftarak dhe për këtë flet fakti që ndodhej brenda varrit monumental me dy dhoma, ndërtuar me qemerë të mëdhenj.”
Ndërkaq, sipas specialistëve të parët që kanë bërë të mundur gjetjen dhe hapjen e këtij varri kanë qenë gërmuesit klandestinë, gjatë vitit 1997, por tani prej arkeologëve punimet kanë përparuar në thellësi, deri në zbulimin e objekteve si pazmorja. Megjithatë fakti se prej gërmuesve klandestinë është hapur vetëm një pjesë shumë e vogël e varrit, tregon se në shtresën e fundit, ende e paprekur mund të gjenden sende me vlerë, që i përkisnin personit të varrosur aty.