André Glucksmann
06.04.2006 20:30
 

André Glucksmann: Urrej, prandaj jam

Zyrih - Filozofi André Glucksmann kurrë nuk ka ngurruar të thotë mendimin e tij. Shpeshherë me fjalor radikal dhe tronditës. Ai ka protestuar kundër rrethimit të Sarajevës dhe ka bërë presion kundër qeverisë indiferente të presidentit François Miterrand, më vonë ka përkrahur luftën e NATO-s kundër Slobodan Milosheviçit, të cilin e ka përshkruar si vrasës dhe diktator postmodern dhe postkomunist, në dallim nga shumë intelektualë të tjerë evropianë Glucksmann ka përshëndetur luftën e SHBA-ve kundër diktaturës së talebanëve në Afganistan dhe regjimit terrorist të Sadam Huseinit. Një ndër temat e përhershme të diskursit të tij është lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër popullit çeçen. Glucksmann-i godet ashpër politikën gjunjëzuese të evropianëve ndaj Putinit.

Këtë javë Glucksmann ka prezantuar në Zyrih librin e tij më të ri. Një libër për urrejtjen. Natyrisht në këtë vepër nuk mungon edhe një kapitull për Çeçeninë. Filozofi francez mendon se sot shumica e konflikteve ndërkombëtare dhe e krimeve të kryera në emër të politikës janë pasojë e urrejtjes: “Urrejtja e pafundme përshkon botën: ajo është herë flakëruese dhe e pamëshirshme, herë e fshehtë dhe e ftohtë. Këmbëngulshëm dhe me kryeneçësi ajo shkakton shkatërrime në raportet private dhe në jetën publike... Një tërbim i pabesueshëm shkatërrimi asgjëson një familje, e cila gjatë gjithë jetës ka qenë e lidhur ngushtë përmes punës dhe ndjenjave. Me tronditje një qytet, i cili ka marrë ndihma për rindërtim, përjeton ndezjen e dhunës...”. Në librin e Glucksmann-it urrejtja përshkruhet si rezistencë e brendshme kundër botës aktuale. Kjo urrejtje, e cila mund të jetë individuale dhe kolektive, shndërrohet në diçka absolute dhe përfundon në terrorizëm dhe nihilizëm. Ai kundërshton me këmbëngulje bindjen humaniste se urrejtja është diçka që shpërthen nga pasojat e jashtme. Urrejtja, sipas filozofit francez, është diçka që kultivon vetveten dhe mund të bëhet përmbajtje e jetës: “Urrej, prandaj jam”. Pa urrejtje nuk do të kishte fanatizëm, as atentate vetëvrasëse, as luftë dhe as masakra.

“Urrejtja nuk lind as nga rastësia as nga gabimi. Kemi të bëjmë me etje shkatërruese të hakmarrjes. Ajo na prek neve tepër afër, ajo nuk gjendet prapa nesh, por është brenda nesh dhe na rrethon. Ajo është subversive, radikalisht mohuese, ajo është në fillim të çdo jete. Një lexues i Eskilit dhe i Senekës nuk mund të nënçmojë qëllimin vrasëtar të bombave njerëzore. Ai ka dëgjuar zërin e Medeas të braktisur nga Jasoni, ka parë se si ajo e tërbuar ka vrarë fëmijët e saj”.

Medea vret fëmijët e saj për t’iu hakmarrë Jasonit, i cili dëshironte të martohej me një grua tjetër. Qëllimi i saj është ta përqesh mbretin e fuqishëm para opinionit publik. Glucksmann-i e hedh poshtë maksimën e Testamentit të Vjetër “Sy për sy, dhëmb për dhëmb”.
“Edhe pse mund të mos u pëlqejë kalemxhinjve naivë, alkimia e Medeas nuk e shndërron të keqen në të mirë, por një hiç në një hiç tjetër edhe më të mjerë”. Siç dihet bartësit kryesorë të urrejtjes, parë nga aspekti historik, janë nacionalizimi pushtues, ideologjia dhe verbëria religjioze. Ndonëse konflikti mes ideologjive me disfatën e komunizmit ka marrë fund, urrejtja, sipas Glucksmann-it, nuk do të zhduket automatikisht. “Këtë gabim e ka bërë Albert Camus, kur në librin e tij “Njeriu në revoltë” besonte se shpërthimet e urrejtjes burojnë nga konfrontimi ideologjik. Dëshminë e parë që nuk është kështu, e ka sjellë Slobodan Milosheviçi, i cili për aventurën e tij serbomadhe në mënyrë të paskrupullt kishte mobilizuar forcat e majta radikale dhe të djathtat fashistoide dhe as që kishte çarë kokën mbi pozitat ideologjike. Flamujt, nën të cilët dëshirohet të lëpihet gjak, valëviten sipas erës që fryn në të gjitha drejtimet”, deklaroi Glucksmann këto ditë në një intervistë me gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”.

André Glucksmann u lind në vitin 1937 në një familje hebraiko-gjermane, e cila kishte ikur në Francë për t’i shpëtuar terrorit nazist. Ai është autor i shumë librave mbi sistemet totalitare të formave të ndryshme. Bashkë me Bernard-Henry Lévy dhe me Alain Finkielkraut ai i takon qarkut të Filozofëve të Rinj në Francë. Librat më të njohur të Glucksmann-it janë “Mjeshtrit e mendimit”, “Pushteti i budallallëkut” dhe “E keqja dhe e mira”. Eshtë mbështetës i dualizmit sa i përket të keqes dhe të mirës. Si shembull aktual i së keqes ai përmend terrorizmin modern si “agresion i përgatitur mirë kundër civilëve, të cilët janë të papërgatitur dhe të pambrojtur. Se a bartin uniformë pengmarrësit dhe vrasësit e njerëzve të pafajshëm, se a bartin uniformë apo bajonetë etj. nuk ka të bëjë me çështjen. Kur ata thirren në ideale më të larta, prapë asgjë nuk ndryshon. Çfarë luan rol është qëllimi i dëshmuar dhe i shndërruar në vepër për të asgjësuar njerëz pa dallim”.

Një temë e pashmangshme në diskursin e André Glucksmann-it është antiamerikanizmi evropian. Sipas tij për shumë evropianë Amerika është fajtore për gjithçka. “Kjo është ideologji e pastër, prej së cilës buron urrejtje”, thotë ai. “SHBA-të janë më të dobëta se asnjëherë më parë, ato ngurrojnë dhe kanë nevojë për aleatë. Për herë të parë nga viti 1814 ato para katër vitesh sërish janë sulmuar drejtpërdrejtë në Manhatan. Evropianët këtë nuk duan ta kuptojnë dhe e karikojnë Amerikën si një monstrum të gjithëfuqishëm, por njëkohësisht besojnë se mund t’ia dalin pa amerikanët. Në vend që të drejtohen nga SHBA-të ata mbështeten tek Rusia e Putinit”. Në librin e tij filozofi polemizon me mençuri me të majtën gjermane dhe franceze dhe mbron të drejtën e SHBA-ve për të ndërhyrë në vatra krize.
“Ngado që ta sjellësh, SHBA-të janë dhe mbesin një vend demokratik. Madje demokracia më shembullore. E vetmja, që, për aq sa di unë, në mes të luftës nuk ka penguar publikimin e krimeve të kryera nga ushtarët... Sigurisht në Amerikë nuk banojnë vetëm ëngjëj, por ajo mbetet vatra e të drejtave të njeriut, sepse, më shumë se çdo vend tjetër i botës, disponon mjete për t’i ndriçuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për t’iu dhënë fund atyre. Te të drejtat e njeriut mund të matet aftësia jonë për t’iu kundërvënë barbarisë, të keqes, për të përballuar djallin, të cilin e bartim në veten tonë”.

I tillë është filozofi André Glucksmann. I mësuar të notojë kundër rrymave të kohës dhe të luftojë kundër islamizmit radikal (“fashizëm i gjelbër”), kundër “Evropës antiamerikane” dhe kundër “anatomisë të së keqes”. Në veprën e tij më të re ai nuk e fsheh simpatinë për ata që i quan “shpirtra të bukur”, të cilët kanë përkrahur të përndjekurit e Kosovës, Havelin, refugjatët me varka, të rrethuarit e Dubrovnikut dhe Sarajevës, të masakruarit e Algjerisë.

Enver Robelli

Kthehu në Kulturë

Na shkruani