Nga Dr. Genciana Abazi
06.04.2006 22:49
 

Vjedhja e pronës intelektuale në përmasa të frikshme

Letër e hapur drejtuar Ministrit të Kulturës, z. Bujar Leskaj

I nderuar zoti Ministër,

Gjatë ditëve të Panairit të Librit, shtëpia botuese ‘Çabej’ nxori në qarkullim ribotimin e “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”, të vitit 1954. Kjo vepër është përgatitur nga pesë autorë, ndërmjet të cilëve edhe gjyshi im, studiuesi Osman Myderrizi. Me keqardhje po ju njoftoj se botuesja Brikena Çabej e ka botuar këtë libër pa u marrë vesh me njërin prej autorëve. Ajo aktualisht nuk disponon asnjë dokument që dëshmon se unë, si trashëgimtare e ligjshme e Osman Myderrizit, i kam dhënë asaj të drejtat që më takojnë për botimin e fjalorit. Për më tepër zonja Çabej, në mënyrë krejt arbitrare, i ka atribuar vetës copyright-in e botimit ekskluziv deri në vitin 2010. Pra, e thënë më shkoqur, znj. Çabej ka hedhur në treg një botim pirat dhe ka kryer një vjedhje të pastër të pronës intelektuale të tjetërkujt. Ndihem shumë e sigurt në këto fjalë që po shkruaj, pasi znj. Çabej nuk disponon firmën time, sikurse edhe unë kontratën përkatëse, ndërkohë që libri është në treg.

Shqetësimin tim fillimisht mendova që ta ndaja me opinionin e gjerë intelektual shqiptar, por shumë shpejt kuptova se ky problem tashmë i ka kaluar dimensionet e një shqetësimi individual. Pasi në rastin tim, një akt të tillë e ka kryer një shtëpi botuese e konsideruar si serioze, drejtuesja e së cilës është e bija e profesorit të nderuar Eqrem Çabej dhe një nga flamurtaret e mbrojtjes së të drejtave të autorit. Duket se këta individë i mbrojnë të drejtat e autorit sa herë që ato janë në interesin e tyre dhe i shkelin në mënyrë të vetëdijshme, me të dyja këmbët, kur ato bien ndesh me këto interesa. Mjaftojnë këto të dhëna për të treguar se çfarë përmasash të frikshme ka marrë dhunimi i pronës intelektuale në vendin tone.

Në vështrimin tim, nisma për botimin e këtij fjalori është e lavdërueshme, por ajo, së pari, duhet vendosur mbi baza ligjore. Sepse marrja e të drejtës së autorit, në radhë të parë, është respekt ndaj punës së profesorëve të nderuar që kanë krijuar këtë vepër dhe, së dyti, krijon bazën që libri i botuar të qarkullojë pa probleme në treg. Mirëpo duket se për këtë çështje nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me znj. Çabej, e cila kishte përgatitur një strategji tjetër, atë të të bërit të punëve fakt të kryer. Vetëm një ditë përpara shpërndarjes së librit në Panair, m’u kërkua të hedh firmën. Në formë presioni m’u tha se cilido qoftë reagimi im, libri tashmë është lidhur, nuk mund të hidhet në kosh, prandaj dhe qarkullimi i tij është i pandalshëm. Por, siç duket, znj. Çabej mendon se vepra ka ekzistuar përpara autorëve të saj. Kështu që ka promovuar veprën përpara se të respektojë të gjithë autorët që e kanë krijuar atë, ku si i tillë nuk është vetëm i ati i saj. Madje shpërfillja e saj për autorët ka arritur deri aty sa gjuhëtarit të nderuar Kostaq Cipo i ka hequr atributet e kryetarit të grupit hartues dhe e ka radhitur njësoj me autorët e tjerë.

Unë shqetësimin tim për kryerjen e një pune të tillë të paligjshme mund ta kisha bërë publik që kur në shtyp filluan të promovoheshin në mënyrë periodike lajmet për ribotimin e fjalorit. Por gjithmonë kam qenë e prirur që këto punë të zgjidheshin me mirëkuptim, larg presionit të medias. Tashmë e kuptoj se jam gabuar, pasi me këtë kategori botuesish komunikimi intelektual duket se është një formë komunikimi më e avancuar se realiteti në të cilin jetojmë.

Z. Ministër, gjatë gjithë ditëve të Panairit të Librit u bënë prezente raste të piraterisë dhe vjedhjes intelektuale, gjë që tregoi se nuk kemi të bëjmë më me një fenomen të izoluar, të shfaqur në disa individë të papërgjegjshëm, por me një problem që sa vjen e bëhet më serioz. Pasi të drejtat e autorit dhe pronën intelektuale nuk ka frikë ta dhunojë edhe znj. Çabej, antare e forumeve dhe e shoqatave të mbrojtjes së të drejtave të autorit. Në këto kushte z. Ministër po ju drejtohem me një pyetje. Ku e gjejnë forcën individë të tillë si Brikena Çabej që të marrin nëpër këmbë nderin dhe respektin e njerëzve shumë të nderuar dhe për më tepër të sfidojnë në mënyrë të vetëdijshme dhe arrogante ligjin shqiptar dhe konventat nderkombetare ku aderon edhe vendi ynë?!

Ndërsa unë jam shumë e qartë dhe e vendosur për fillimin e betejës ligjore, çfarë mjetesh ka Ministria e Kulturës në dispozicion për të ndalur këto akte të mirëmenduara dhe mirëorganizuara të vjedhjes së pronës intelektuale? Cili është mekanizmi që duhet vënë në lëvizje për të parandaluar këto veprime të shëmtuara që po rriten dita ditës. A nuk mendoni se ka ardhur koha që ky problem t’i kapërcejë kufijtë e individit dhe të shndërrohet në një problem institucional, në mënyrë që të marrë një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare.

Sot jam e detyruar ta ngre zërin në mënyrë publike pasi ndihem e fyer dhe e lënduar sepse e shoh qe edhe shteti nuk po reagon për të garantuar pronësinë intelektuale. Znj. Çabej nesër mund të ndërmarrë edhe vjedhje të tjera të kësaj natyre. Ajo dhe të tjerët si puna e saj duket se nuk po tremben nga ligjet në fuqi. Pra z. Ministër, çfarë duhet bërë para një situate të tillë. A duhet ndaluar kjo shfaqje e korrupsionit me të gjitha mënyrat?

Tashmë që ky problem nuk është vetëm i imi, une ndihem e obliguar që nëpërmjet komunikimit të hapur t’ju njoftoj juve dhe opinionin e gjerë mbi ecurinë e mëtejshme të këtij problemi.

*Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë / Akademia e Shkencave

Kthehu në Kulturë

Na shkruani