Dy pika lot në shtëpinë e shembur të babait
Një djalosh i vogël dëgjonte çdo natë një përrallë që fliste për një fshat të mahnitshëm, që nuk kishte të krahasuar me asnjë vend tjetër në botë.
Djaloshi u rrit e u bë burrë, por asnjëherë nuk e largoi nga mendja historinë e bukur, që babai i tij i tregonte kur ishte i vogël. Kërkoi gjithandej të gjente vende që të krahasoheshin me atë të përrallës, por nuk kishte gjetur as shumë pemë me kurora të gjelbëra e të dendura, as kalldrëme dhe as shtëpi prej guri në të njëjtin vend, teksa rritej çdo ditë pranë imagjinares dhe ndërtesave të larta që gërvishtnin qiellin. Vetëm në moshën 54-vjeçare dhe vetëm një herë në jetë, Xhim Belushi do të shikonte atë imazh që kishte gdhendur në mendje, aq të virgjër e të paprekur si në përrallën e fëmijërisë.
Përmbushja e amanetit
“Ku është shtëpia ime?” Këto ishin fjalët e para që mundi të thoshte kur e gjeti atë që kishte kohë që e kërkonte. Kjo ishte pyetja e një prej aktorëve me famë botërore, kur për herë të parë shkeli në vendin e origjinës. Dhe kjo origjinë ishte sa e largërt aq dhe e afërt për njeriun e ekranit dhe kinematografisë, në dejet e të cilit, megjithëse me mijëra kilometra larg, kishte ende gjak shqiptari. Ata që e kishin parë nëpër filma nuk mund të besonin se një ditë, një emër aq i famshëm, do t’i afrohej kaq shumë tokës nga kishte prejardhjen. Fshati Qytezë hapi menjëherë dyert për atë që ishte krenaria e këtij vendi. Një djalosh i ri erdhi nga Amerika me mallin e trashëguar nga prindërit, për një vend përrallor që nuk kishte të krahasuar me asnjë vend tjetër. Tani, 10 vjet më vonë të gjithë e kujtojnë historinë e djaloshit të rritur me përralla. 10 vjet pas plotësimit të ëndrrës së tij, vendalinjtë, ende nuk i kanë harruar emocionet që u dhuroi një prej pinjollëve të bashkëfshatarëve të tyre. “Vdekja nuk do më marrë pa e parë dhe një herë nga afër vendin ku u linde dhe kalove fëmijërinë”. Premtimi i djalit për babain që ishte në fund të jetës së tij, do të bëhej shumë shpejt realitet. Fshati me vizitorë të rrallë e priti Xhimin te kisha, ndonëse mungonte Xhoni, vëllai tjetër. Aq sa i famshëm u bë si aktor, aq shpejt u shua nga jeta nga një vdekje misterioze.
Vizita
“I gjithë fshati u mblodh te kisha për të pritur djalin nga Qyteza”, kujton Dhimitrula Tahiri, zonja e shtëpisë mikpritëse për Xhim Belushin dhe babain e tij, Adhamin. Dhimitrula, kushërira e familjes Belushi ka ruajtur më së miri dashurinë për Qytezën. Ndonëse jeton prej vitesh në Korçë, fshati është pjesa më e rëndësishme e jetës së saj dhe Tula nuk mund të shkëputet prej tij, ndërsa e tërhequr nga bukuria e natyrës dhe veçantia e këtij fshati, kalon një pjesë të mirë të vitit në këtë zonë malore, mes gjelbërimit, rrugicave me kalldrëm dhe shtëpive prej guri. “Xhimi erdhi para babait të tij, Adhamit dhe doli për të parë të gjithë fshatin. Fjala e parë që tha kur e pritëm ishte pyetja “Ku është shtëpia ime?” Ne i treguam gërmadhat e shtëpisë ku ishte rritur babai i tij, i cili i kishte folur shumë për vendlindjen dhe jetën në fshat. Kur pa gërmadhat dhe shtëpinë e rrënuar plotësisht lëshoi dy pika lot. Nuk mund ta besonte se shtëpia e tij ishte kthyer në gurë të rrëzuar përtokë. Ashtu i përlotur u kthye sërish në qendër të fshatit për të pritur babanë. Aty të gjithë e prisnin me buqeta me lule. Xhimi u bashkua me ne në pritje për të vijuar ceremoninë e nderimit të atit të tij, që kishte lindur në këtë vend dhe për t’i bërë të gjitha nderimet që i kishte premtuar kur ishin në Amerikë”.
Kujtimet
Dhimitrula nuk harron të kujtojë edhe një tjetër moment emocionues, kur Xhimi doli i pari për të pritur të atin dhe i tha “Mirëserdhe në fshatin tënd të dashur”. Adhami u bë me krahë. Ne filluam të qanim. Pastaj rrodhën kujtimet e fëmijërisë”. Adhami bashkë me Xhimin shëtitën tek të gjitha vendet, ku babai kishte kaluar fëmijërinë. Shkuan te lumi dhe te rrugicat, ku ai kishte luajtuar kur ishte i vogël. Babai i tij i tregonte me hollësi të gjitha vendet, ku luante dhe ku lahej me shokët, luginat dhe shtigjet nga kalonin për të mbledhur arra, kërpudha dhe lajthi. Pasi vizituan të gjithë fshatin vijuan me vizitat në shtëpi. Adhami porositi të gjithë banorët që të kujdesen për fshatin, pasi Shqipëria ka vetëm tri perla, Qytezën, Sinicën dhe Dardhën, dhe pasuritë e bukuritë e rralla të këtyre fshatrave duhej të ruheshin, ndërsa amaneti i tij ishte që dhe shtëpitë karakteristike prej guri të mirëmbaheshin, për të mos pësuar të njëjtin fat si shtëpia ku ai kaloi fëmijërinë dhe që sot ka mbetur gërmadhë. Aktori përmbushi amanetin e fundit të babait të vet, duke u mahnitur edhe vetë nga bukuritë e fshatit të origjinës. Adhami do të vdiste dy vjet më vonë në Amerikë, në moshën 86-vjeçare. Ai u largua nga Shqipëria në vitet ’30, si shumë të tjerë. Atëherë ishte vetëm 18 vjeç kur pushtoi Amerikën. Kur iku larg Qytezës ai nuk e dinte se atje, në tokë të huaj do të lindte dy artistë. E ndërsa Xhoni u nda përfundimisht nga kinemaja në moshën 33-vjeçare, vëllai i tij, Xhimi, jo vetëm do të vazhdonte të pushtonte ekranet, por do të plotësonte dhe ëndrrën për të parë fshatin e përrallës, të vogël në përmasa, por me zemër të madhe. “Baba, ta plotësova dëshirën për ta parë vendlindjen”, i tha ai Adhamit, kur në vitin 1995 vizitoi për të parën herë Qytezën. Si në një skenë filmi Xhimi u përul në gjunj para babait të tij.
Mallengjimi
Ligor Tahiri, njeriu që e mikpriti në shtëpinë e tij, Belushin dhe të atin, tregon se si e ka mbajtur në krahë Adhamin, me qëllim që ai të vizitonte të gjitha vendet që kishte shkelur në fëmijëri. “Adhami ishte plakur shumë dhe nuk mund të ecte lehtë në rrugët e vështira të fshatit. E kemi mbajtur në krahë për ta shëtitur në të gjitha vendet, ku ai dëshironte për të risjellë në kujtesë fëmijërinë e largët. Kur pa shtëpinë u prek shumë dhe u mallëngjye. Shtëpia ku ai u lind dhe u rrit kishte mbetur e rrethuar, por me mure të rënë. Pasi pa shtëpinë e vjetër vizitoi çdo cep të fshatit dhe për çdo vend tregonte historitë e tij të fëmijërisë dhe adoleshencës. Ndonëse i sëmurë nga diabeti dhe me një këmbë që e tërhiqte zvarrë, ai nuk la vend pa shëtitur për të plotësuar dëshirën e vetme të jetës së tij”, tregon Ligor Tahiri.
Porosia e Adhamit dhe amaneti i tij i fundit për t’u kujdesur për fshatin duket se nuk gjeti vend, ashtu si dhe premtimi i Xhim Belushit, aktor, i cili nuk u kthye më në Qytezë. Pas vitit ‘95 shumë qytezarë filluan të largohen, duke e lënë fshatin të shkretë me ato pak familje që tani mezi presin vizitorët e rastit. As Belushi, krenaria e fshatit nuk erdhi më, ndonëse premtoi se do të kthehej sërish. Kjo histori mbeti i vetmi kujtim i bukur i fshatit, që tregohet dhe sot me krenarinë se nga kjo tokë kanë dalë njerëz të famshëm.
Realizimi i “Blue’s Brothers” dhe fama e shpejtë në kinemanë amerikane
Dy vëllezërit Belushi që pushtuan Hollivudin
Babai i dy aktorëve të njohur, Adham Belushi do ta linte Qytezën për të ikur në kurbet drejt Amerikës, në vitin 1934.
Në moshën 18-vjeçare ai filloi punë në një restorant, ndërsa shumë shpejt me atë ardhurat e grumbulluara nga puna në kurbet hapi një restorant të vogël. Ai u martua në Amerikë me Agnesin, me të cilën lindi tre fëmijë. Djali i madh, Xhon Belushi, ndonëse tipik shqiptar dhe çamarrok do të pushtonte shumë herët skenën amerikane, duke u bërë brenda pak viteve ndër komedianët më të kërkuar të kinemasë dhe ekraneve televizive. Për çdo rast Xhon Belushi, sa herë që intervistohej përmendte fjalët “Jam me origjinë shqiptare dhe jam krenar për këtë”.
Kush ishte Xhon Belushi
Belushi i madh lindi në Uiton, në 24 janar të 1949. Në moshën 13-vjeçare fiton çmimin “Aktori më i mirë” në Hauard. Këtu ishte dhe vendi ku regjisorë të mëdhenj do ta “grabisnin” këtë aktor për ta aktivizuar në komedi dhe filma amerikanë. Me talentin, plastikën, improvizimin dhe karakterin e tij plot humor, nuk do të ndahej nga serialet komike. Më pas ai do të përbënte dhe objektin e lakmisë mes regjisorëve. Brenda 20 vjetësh, Xhon Belushi krijoi role të papërsëritshme në 50 komedi, 100 shfaqje artistike dhe 8 filma. U vlerësua me tre çmime të rëndësishme për rolet në filmat “Shtëpia e kafshës”, si aktori më i mirë komik te filmat “Quamë shqiponjë”, “Kontinentale” dhe “Fqinjët”, si dhe një çmim për albumin muzikor Super. Xhon Belushi krijoi orkestrën Blues Brothers. Historia e tij shqiptare, por dhe fama me bandën e vet do të tërhiqte vëmendjen e regjisorit Steven Spielberg. I frymëzuar nga muzika dhe pasioni i Belushit për bluzin, Spielberg do të realizonte bashkë me aktorin filmin që do t’i shtonte karrierës artistike në kinematografi më shumë popullaritet në botë. Ishte filmi me të njëjtin emër, “Vëllezërit Blues”. Belushi do të linte përfundimisht Hollivudin, në moshën 33-vjeçare. Ai vdiq në mënyrë misterioze në Amerikë, në 5 mars të vitit 1982. Dhe ndërsa Belushi i la bosh ekranet, mbiemri qytezar do t’i ripushtonte nga i fundit i Belushëve, Xhim Belushi.
Kush ishte Xhim Belushi
Lindi në Çikago, në 15 korrik të vitit 1954. Tipi i tij dhe karakteri me gjak të nxehtë bëri që qysh në moshë të vogël të kishte probleme me drejtësinë amerikane. Kjo do ta ndihmonte më vonë që të krijonte figura dhe role shumë të veçanta në kimenatografi. Nisur nga natyra e vetë djalit të vogël, i ati dëshironte ta punësonte në restorant, por ai nuk pranoi. Ashtu si dhe vëllai i tij kishte hobi muzikën, sportet dhe kinematografinë. Rolin e parë do ta fitonte në vitin ‘77 dhe dy vjet më vonë do të bëhej i njohur në filmin “Who’s watching the kids”, por filmi që do ta bënte të famshëm në radhët e artistëve hollivudianë do të ishte “About Last Night”, ku u vlerësua dhe me çmimin si aktori më i mirë. Xhimi do të luante më pas në më shumë se 15 filma, që pushtuan jo vetëm kinematë amerikane, por dhe ato botërore. Ai do të ndiqej nga regjisorët për të xhiruar filma në Amerikë dhe në disa nga shtetet kryesore të Evropës. Endrra e tij është të xhirojë një film në Shqipëri dhe këtë ka premtuar se do ta realizojë, ashtu siç plotësoi dhe dëshirën e babait për të vizituar fshatin e lindjes.
Qyteza e braktisur, tani vetëm dy fëmijë
KORÇE - Në fshatin Qytezë të zë syri vetëm 2 fëmijë të vegjël. Gjashtë familjet e vetme, që vazhdojnë të jetojnë aty u përkasin kryesisht brezave të moshuar. Ata janë të vetmit që nuk kanë emigruar në SHBA apo Evropë, por përbëjnë banorët e paktë të kësaj zone me një bukuri të rrallë. Kur mbërrin në Qytezë duhet të ecësh për minuta të tëra derisa të mund të takosh banorin e parë të saj. Më të rinjtë janë dy vëllezërit Tase, njëri 6 dhe tjetri 7 vjeç. Të madhit i ka kaluar koha e shkollës, por prindërit e tij po presin sa të rritet dhe tjetri që të mund t’i dërgojnë të dy në klasë të parë. Kjo, pasi në fshat shkolla është mbyllur prej vitesh, si pasojë e mungesës së nxënësve, dhe prindërve të dy fëmijëve u mbetet t’i çojnë në shkollën e Bilishtit. Qyteza më parë, sipas banorëve që kanë mbetur, tërhiqte shumë vizitorë, për shkak të bukurisë dhe klimës. Ndërsa tani fshati ka mbetur pa vendasit dhe i braktisur e i harruar dhe nga vizitorët. Banorët e mbetur këtu mezi presin që dikush të vijë nga larg. Ata tregojnë me përkushtim gjithë historinë e fshatit të tyre dhe si filloi të lihej në mëshirë të fatit nga largimi i njerëzve në kurbet. Ndërsa shkolla që datonte qysh në vitin 1930 dhe përdorej si shkollë fillore nuk ka më asnjë funksion. Ndonëse shtëpitë janë bosh dhe shumë turistë shfaqin interes për të blerë dhe për të mirëmbajtur shtëpitë prej guri, qytezarët nuk kanë dashur t’i shesin ato, pasi mbartin një bukuri të rrallë dhe histori e vite mbi supe.