Një qendër kaq e madhe dhe unikale arkeologjike si Butrinti prej vitesh ndien nevojën dhe mungesën e ciceronëve. Gjatë muajve të verës, kur numri i vizitorëve të Butrintit shumëfishohet, krahasuar me periudhën tjetër të vitit, thirren për të bërë ciceronin disa gjimnazistë nga Saranda. Kjo ka vite që aplikohet dhe nuk mungon vetëdija se nuk janë këta njerëzit që i duhen Butrintit dhe të interesuarve për të. Atyre mund të mos u mungojë zelli për ta kryer këtë punë, por nuk ka asnjë dyshim se me këtë ardhje ata i shërbejnë më shumë vetes, duke praktikuar gjuhën që flasin, se sa qytetit antik në pozicionin e ciceronit. Jo aq për paragjykimin e tyre rreth nivelit modest të informacionit që ata zotërojnë rreth Butrintit dhe monumenteve të tij, këta “ciceronë” jo rrallë janë si lojtarë stoli. Sepse vihet re edhe një praktikë tjetër e udhëheqjes së vizitorëve. Ndodh rëndom që disa grupe vizitorësh të mos pranojnë të shoqërohen nga ciceroni, edhe sikur i përkryer të jetë ai që mund t’u vihet në dispozicion. Arsyeja është se ai që bën ciceronin shpesh gjendet brenda grupit apo u jepet nga shoqëritë turistike, që në nisje të guidës. Në se ndodh që në Butrint vijnë personalitete si Prof. Cabani, më i famshmi në Francë për Ballkanin dhe nuk përton të shpjegojë vetë, ky nuk mund të konsiderohet një anormalitet. Jo normale dhe fyese do të ishte që atij t’i jepej një shpjegues gjimnazist. Rasti më i fundit është ai i një grupi profesorësh nga Universiteti i Janinës, të shoqëruar nga ministri aktual i Punës, Koço Barka, i cili me kërkesën e tyre bëri edhe ciceronin e grupit.
E keqja është se kështu funksionojnë deri edhe agjenci turistike të huaja. Duke e trajtuar si një përjashtim rastin e grupeve që vijnë nga Korfuzi me turistë hungarezë dhe për mungesë përkthyesi në gjuhën e tyre këtu, aktivizohet një bashkëkombas i tyre me banim në Korfuz, shfaqjes së lloj-lloj ciceronëve u duhet dhënë fund. Së pari me fuqinë dhe logjikën e ligjit dhe së dyti me adoptimin e përvojave më të afërta të fqinjëve tanë dhe së treti duke mos pritur që kjo punë të bëhet nga njerëz honoraresh. “Lirinë” për të ardhur vizitorët së bashku me udhëheqësin e tyre në Butrint ua jep mungesa e një ligji që ta ndalojë këtë në mënyrë taksative dhe mangësitë e absurditetet e strukturës organike të një qendre arkeologjike të shquar si Butrinti. Çuditërisht, Parku i Butrintit ka vetëm 7 punonjës, nga të cilët 6 mirëmbajtës dhe një drejtor e asnjë ciceron në organikë.
As njëra dhe as tjetra nuk flet për hapa integrues në këtë fushë, përderisa shihet qartë zbrazëtia ligjore që ekziston, e shoqëruar dhe e rënduar edhe nga vonesa e zgjidhjes administrative të këtij problemi. Drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare, thotë se ka tre vjet që ngrihet ky shqetësim në dikasterin e kulturës dhe nuk gjen zgjidhje. Sipas tij, ka pengesa ligjore për t’i detyruar grupet që vijnë nga Franca apo Anglia të drejtohen medoemos nga ciceroni i Parkut. Ndryshe qëndron puna në Itali apo në Greqi, ku kjo është e përcaktuar me ligj dhe ku ka një infrastrukturë të ngritur e të konsoliduar me universitetin e ciceronëve, të cilët çertifikohen për punën që bëjnë. Punën e tyre lejohet ta kryejnë gjimnazistët e Sarandës, që dihet se nuk kanë nivelin që kërkon Butrinti. Edhe pse ata trajnohen gjatë verës për ta thelluar disi atë formim e informacion që kanë për Butrintin, interesi i tyre më i madh është që ushtrohen për përdorimin e gjuhës së huaj.
Kryesorja është që legjislacioni të plotësohet duke marrë parasysh këtë realitet dhe nevojën e rregullimit me ligj të shërbimit të ciceronit në Butrint. Tare thotë se vetë ka bërë dhe i ka paraqitur para tre vjetësh një draft dikasterit të kulturës, për të cilin nuk dihet gjë se ku ka përfunduar. Mirë në Butrint është gjetur një modus me gjimnazistët, por ky nuk është problem vetëm i tij, sepse e njëjta gjë ka vlerë të thuhet për Finiqin, për Gjirokastrën, për Antigonenë etj.