Shtëpia e tij e lindjes do restaurohet dhe do kthehet në "Libraria Ndërkombëtarë Kadare"
Dje shkrimtari i njohur mbushi 70 vjeç
Eshtë shtëpia ku ka lindur shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare. Ajo nuk do të jetë më e heshtur. Pas braktisjes së gjatë, kjo shtëpi do të ketë tjetër imazh. Do të kthehet në "Libraria ndërkombëtare Kadare".
Me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit të njohur, fitues i çmimit "The International Man Booker Prize" dhe kandidat i çmimit Nobel për letërsinë, ky lajm u bë i ditur dje nga kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Por ky projekt, është vetëm një pjesë e iniciativës së qytetit të lindjes së Kadaresë. Bashkia e Gjirokastrës, e shpalli vitin 2006 viti i Kadaresë, duke premtuar se së shpejti do të nisë zbatimi i projektit për restaurimin e shtëpisë së lindjes së shkrimtarit. Një njoftim jashtë formateve të zakonshme, dje, para portës së shtëpisë së djegur të Kadaresë kryetari i bashkisë, Flamur Bime gjatë një konference për shtyp tha: "Sot në 70 vjetorin e ditëlindjes së gjeniut të letrave shqipe, pas shumë përpjekjesh të komunitetit të intelektualëve të qytetit, të Bashkisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, kam kënaqësi të veçantë të shpall lajmin e gëzuar, se viti 2006 do të jetë "Viti Ismail Kadare".
Gjatë vitit 2006, me kontribut të përbashkët të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe të Bashkisë së Gjirokastrës e donatorëve, - theksoi Bime, - do të bëhet e mundur që të restaurohet e ndërtohet banesa e familjes së gjeniut të letrave shqipe dhe me përfundimin e projektit të ndërtimit, ajo banesë do të kthehet në një qendër e rëndësishme shumëfunksionale kulture. Sipas Bimes, projekti synon që kjo qendër të kthehet në vend pelegrinazhi për qindra shkrimtarë, studiues, vizitorë e kureshtarë nga e gjithë Evropa e bota, duke vendosur aty "Librarinë Ndërkombëtare Kadare".
"Nga banesa e tij e lindjes që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Gjirokastrës, më lejoni edhe njëherë që përmes jush, t'i urojmë bashkarisht me të gjithë banorët e Gjirokastrës shkrimtarit Ismail Kadare, gëzuar 70 vjetorin e lindjes", - tha Bime para gazetarëve.