Artisti i popullit Kristaq Antoniu lindi në Bukuresht më 1907. Familja e tij nga Korça kishte vite që jetonte në Rumani. Por ai nuk e harronte prejardhjen, përkundrazi e kishte për nder të thuhej: Familja shqiptare Antoniu. E ëma vazhdimisht i këndonte këngët e bukura korçare, që i zgjonin mallin e dashurinë për vendlindjen. Ajo i mësoi Kristaqit edhe gjuhën shqipe, të cilën ai e fliste shumë mirë. Që në vogëli te Kristaqi dallohej prirja për t’u bërë artist i skenës. Ishte djalë i bukur, i ndjeshëm, energjik. Mbasi mbaroi shkollën e mesme, duke patur cilësitë e lartpërmendura, filloi studimet në shkollën e lartë Mimodramatike, nga ku do të merrte elementet e duhura të profesionit të artistit. Ndër bashkëmoshatarët, Antoniu u shqua për magjinë dhe ndjeshmërinë e interpretimit. Që në vitin 1924, viti i parë i studimeve, u aktivizua te filmi me metrazh të shkurtër “Gjynahu i parë”. Në periudhën 1924-1931 Kristaqi luajti në 11 filma: “Ladash”, “Lya”, “Majori Murra”, “Janku Zhian”, “Hajduci” etj. Talenti i tij u vlerësua nga mjaft personalitete të artit. Në vitin 1928 në gazetën “Shqipëria e re”, shkruhet: “Filmi ‘Haiduçi’ mund të thuhet me të drejtë si i pari hap serioz i industrisë rumune të filmit. Populli i Bukureshtit dhe i gjithë krahinave e priti me entuziazëm Kristaq Antoniun, i pajisur prej natyre me fizik të bukur, me shumë talent dhe me inteligjencë të rrallë, i cili luajti shkëlqyeshëm rolin kryesor. Suksesi i filmit e bëri Antoniun 21-vjeçar të famshëm brenda disa javëve…”.
Në vitin 1931 për Antoniun thuhet: “…Antoniu është personazhi më simpatik i filmit “Çokoi”. Çdo lavdërim që të sillja për të parin yll mashkull te ne, do të ishte më poshtë nga ato që do të duhej të bëja”. Po në këtë film për Antoniun jepet dhe vlerësim maksimal për vokalin e tij: “…e pashë z. Antoniu duke luajtur. Në një të ardhme sa më të afërt padyshim do ta shohim artistin e ri e të bukur ndërmjet yjeve të botës… E dëgjova duke kënduar. Një zë që të turbullon, një zë në krahët e të cilit fluturon në botën e ëndrrave…. Antoniu është një talent i madh, me një fizik të prakrahasueshëm, një simbiozë e përkryer e asaj që i kërkohet një aktori të kinemasë. Është një nder edhe për vendin që i takon”. Por Antoniu ishte edhe mjaft i guximshëm. Ja një fakt tepër interesant i jetës së tij, shkruar në revistën “Cinema”, në vitin 1930: “Në Kazanë munda të marr vesh se sa e madhe është dashuria për filmin dhe me çfarë fanatizmi punojnë interpretët. Z. Antoniu nuk nguroi të vërë jetën në rrezik për daljen mirë të një skene. Ai ishte ngjitur mbi disa shkëmbinj të lartë mbi Danub, rreth 100 metra të lartë. Poshtë rridhte me rrëmbim uji i thellë. Një varkëz e vogël tundej mbi valë. Ai u hodh poshtë pa ngurruar. Të gjithë që ishin atje, ngrinë. Ai doli mbi varkëzën e vogël e këndoi romancën e “Të huajit”…
Teksa fama e artitistit rritej, po kështu rritej edhe krenaria e shqiptarëve kudo që ndodheshin për bashkëkombësin, i cili po bëhej edhe një yll i skenës jo vetëm në Rumani, por edhe jashtë saj. Kryetari i shoqërisë kulturore artistike, Gjergj Bubani, shprehej: “…bota na ka konsideruar ne shqiptarët si burra të besës, trima dhe luftëtarë të famshëm. Provat që ua jep shekulli i fundit dëshmojnë qartazi se kombi shqiptar nuk nxjerr vetëm gjeneratë vezirësh e mbretërish të dëgjuar, por edhe burra arti me famë të përbotshme. Le të kujtojmë durrsakun Aleksandër Moisiu dhe boboshticarin Viktor Eftimiu. Tash një tjetër shqiptar korçar, Kristaq Antoniu… Ne tek Antoniu nuk shohim veçse një shfaqje të re të gjeniut shqiptar. Përpara pra, i dashur mik! Me talentin e me zërin që ke të pret një e ardhme e shkëlqyer, një famë e përbotshme. Djelmuria shqiptare dëshiron të të shohë lart e më lart, e ta kujtojë me mburrje emrin tënd”. Mbas disa vitesh me aktivitet të vazhdueshëm në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Në vitin 1939 ai luajti role në dy filma, të cilat fatkqësisht nuk i përfundoi.
Talentin si këngëtar Antoniu e tregoi që në vitin 1930, në fillim në mjedise familjare e shoqërore. Mori pjesë në festivalin e shoqërisë studentore në Bukuresht, ku pati shumë sukses. Në vitin 1932, M. Pogaçe shkruan: “.. Artisti ynë i vyer K. Antoniu këndoi këngë të thurur prej Asdrenit. Ai i bëri popullit një përshtypje shumë të pëlqyer dhe u prit me ato më të nxehtat duatrokitje…”.
E në këtë vit, pra më 1932, për herë të parë Antoniu shkel tokën mëmë, i ftuar në një koncert në Tiranë. Suksesi që i madh: admirim e duartrokitje të nxehta nga publiku artdashës. Më pas organizoi një turne në qytetet kryesore të Shqipërisë me një program të pasur me këngë, romanca e arie operash të dëgjuara, bashkë me pianisten e mirënjohur Lola Aleksi. Më vonë ai interpretoi në teatrin “Alhambra”, në Bukuresht. Edhe këtu shpërtheu fuqishëm talenti i tij. “… ç’mund të themi përveçse -bravo Antoiniu!”, vlerësonte T. Popesku. Në këtë teatër Antoniu realizoi disa koncerte në vende të ndryshëm të Evropës.
Në vitin 1942, pas përfundimit të një kursi për specializim në qendrën eksperimentale të këngës së dancit në Firence, regjistroi në Itali me pianistin P. Dungu, 15 këngë shqiptare, të cilat patën mjaft sukses. Sukses të veçantë në këtë kohë Antoniu arriti në rolin e Turidut te “Kavaleria Rustikana”, shfaqur në teatrin “Garibaldi” të Firences. Shtypi italian vlerësoi kështu artistin shqiptar: “… Tenori K. Antoniu, i pari tenor shqiptar që këndon në Itali, ka realizuar një “Turidu” gjithë shpirt, i shoqëruar nga arti i tij skenik me një zë me timbër të jashtëzakonshëm”.
Në vitin 1942 Kristaqi vendoset përfundimisht në Shqipëri. Këtë vit martohet me piktoren shqiptare nga Korça Androniqi Zengo. Pas çlirimit të Shqipërisë dha disa koncerte në shumë qytete, por i suksesshëm qe ai në vitin 1945, që dha në Shkup. Në 1946 dha koncerte në Jugosllavi e Bullgari. Por rëndësi të veçantë në vitet e para pas çlirimit Kristaqi i kushtoi dhënies së koncerteve atje ku punohej e ndërtohej si në hekurudha, kantiere ndërtimi. Ai nuk e kurseu veten në asnjë rast për të kënaqur e argëtuar me zërin e tij magjepës njerëzit e thjeshtë, të cilët i vlerësonte. Për Kristaq Antoniun nuk ekzistonte diferencimi në sjelljen mes njerëzve të cilësdo kategori që ishin.
Por ngrakesa e madhe bëri që vokali i tij të lodhet. Në vitin 1953 plagoset aksidentalisht, kështu që për disa vite u detyrua të lërë skenën. Rifilloi punë në vitin 1956, si bariton. Këtë vit luajti rolin e Zhermanit në operën “Traviata të Verdit”, ndërsa në 1957-ën luajti rolin e kapuletit në operën “Romeo e Zhuljeta” .
Më pas Antoniu aktivizohet edhe ri regjisor e pedagog zëri në vënien në skenë të operës së parë shqiptare “Mrika” e P. Jakovës. Premiera u dha me shumë sukses. Vlerësimi i artdashësve dhe i shtypit qe i madh. Megjithë sëmundjen e moshën, ai nuk u nda nga skena për shumë vite. Por në dhjetor ‘70 pati një goditje të fortë cerebrale, e cila frenoi shpirtin dhe vitalitetin e artistit tonë të madh. Jetoi disa vite i sëmurë. Vdiq në Tiranë më 1979. Puna e tij në 14 role dhe shumë të tjera në opera është vlerësuar me urdhra e medalje. Në vitin 1975 iu dha titulli “Artist i popullit”
Mblodhi materialin: M. Blloshmi