Vath Koreshi
06.04.2006 20:47
 

Ç ka thonë miqtë dhe bashkëpunëtorët për krijuesin Vath Koreshi

Të flasësh për krijuesin, do të thotë të flasësh për atë që nuk do të vdes kurrë, të flasësh për Vath Koreshin, do të thotë të flasësh për një shkrimtar të shquar, për një shkrimtar filmash që bëri Shqipërinë të fitoj edhe çmime. Të flasësh për Vath Koreshin, do të thotë të flasësh për bërësin e artit në përgjithësi. Vath Koreshi, fizikisht vdiq më tre shkurt të viti 2006, por krijimtaria e tij artistike do të mbetet përgjithmonë në artin shqiptar edhe natyra e tij prej një njeriu të dashur e me sens humori, siç e përshkruajnë miqtë dhe kolegët e tij. Vath KORESHI, u lind më 7 maj 1936 në Lushnjë. Vdiq, më 3 shkurt 2006, në një spital në Itali, nga një sëmundje në zemër.
Vladimir Prifti, regjisor nga Tirana dhe ligjërues në Shkollën e Filmit, ku ligjëron Gjuhën e Filmit, e kujton Vath Koreshin si bashkëpunëtor në studion “Alba Film”, ku bashkërisht ndërtuan skenarin e filmit të njohur “Dasma e Sakos”.
Regjisorit Vladimir Priftit, thotë se Vath Koreshi nuk i ka krijuar përshtypje të mirë vetëm si shkrimtar i veprave letrare, por edhe si shkrimtar filmi

“Shkrimtarin Vath Koreshi, e kam njohur jo vetëm në periudhën kur ai ka shkruajtur një letërsi të mirëfilltë, siç janë novelat e tij të njohura “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, e shumë të tjera. Por, e kam njohur edhe gjatë periudhës kur kemi bashkëpunuar në studion “Alba Film”, e cila vazhdon të ketë të njëjtin emër por, është kthyer në një institucion tjetër. Me Vath Koreshin, e ndërtuam skenarin e filmit “Dasma e Sakos”. Vathi, gjithmonë më ka krijuar një përshtypje jashtëzakonisht të mirë jo vetëm si shkrimtar në letërsi por edhe si shkrimtar filmi. Sigurisht, momentet e mia më të njohura janë në adresë të kinemasë. Skenari “Dasma e Sakos” është ripunuar disa herë por, ai arriti më në fund në vitet ’97 – ’98, të bëhet film. Në procesin e ndërtimit të një filmi, skenari zë një vend të rëndësishëm, natyrisht edhe shkrimtari i filmit. Vathi, ka shkruar të paktën mbi dhjetë romane, disa novela, tregime pa fund, por si shkrimtar filmi, prapë ai zë vendin e parë, për arsye se ai ka realizuar të paktën 15 ose 16 skenarë filmi. Ne me Vathin jemi njohur gjithashtu edhe në shkollën e filmit, e cila është hapur këto dy – tri vitet e fundit, ku Vathi jepte mësimin e Skenarit, kurse unë jap Gjuhën e Filmit. Ne natyrisht kemi komunikuar, jo pak. Se ç’ vend zë marrëdhënia e regjisorit me shkrimtarin e filmit në provimin e një kinemaje d.m.th., të një filmi artistik ? Gjithmonë më ka pëlqyer këndvështrimi i gjerë dhe të njëjtën kohë shumë profesional i këtij shkrimtari, vërtetë të mirë dhe të dashur dhe gjithmonë më ka ardhur keq duke menduar se edhe këto ditë, ikja e Vathit ka qenë prezente. Më është dukur gjithmonë sikur e kam para syve edhe në bashkëpunimin edhe në punën qe e kam bërë me atë. Dhe natyrisht që më vjen keq, d.m.th, iku një figurë e rëndësishme jo vetëm si një njeri i mirë dhe i dashur dhe në të njëjtën kohë një shkrimtar i mirë i letërsisë të mirëfilltë, por edhe një shkrimtar, i cili shkroi aq mirë shkrimin e skenarit të filmit”, tha regjisori i mirënjohur Vladimir Prifti.

“Për ata që nuk i kanë njohur, vdekja e shkrimtarëve është një lajm në kronikë, kurse për neve që ishim vërtetë si miq, është një pikëllim i madh”, shprehet Pëllumb Kulla për Vath Koreshin, aktor, regjisor, romancier, ish ambasador i Shqipërisë në Gjermani, ambasador në OKB, i cili tani jeton në SHBA, si shkrimtar i lirë.

“Unë u pikëllova pa masë për vdekjen e Vath Koreshit, i cili ishte një mik i mirë, një shok i mirë, ishte një shkrimtar, një artist, ishte një njeri i artit dhe i kulturës, një nga njerëzit më të mirë që ka pasur Shqipëria. Ishte vërtetë tronditëse vdekja e tij edhe për faktin se iku i ri, iku me plane krijuese të jashtëzakonshme, të mrekullueshme dhe kualiteti i prodhimtarisë së tij letrare ishte i tillë që vërtetë duhet të na vijë keq. Ndryshe nga të tjerët, unë mendoj se shkrimtarët dhe artistët, krijuesit, vdesin më pak sepse ose më saktë, tek ata vdes vetëm një pjesë e tyre, ajo pjesa më e dobët, pjesa më e stërmunduar dhe më e lodhura, kurse vepra e tyre vazhdon të jetojë. Edhe me vdekjen e tyre, çuditërisht përshkënditet më shumë. Për ata që nuk e kanë njohur vdekjen e shkrimtarëve, është një lajm në kronikë, kurse për ne si miq, është një pikëllim i madh dhe me këtë rast të Vath Koreshit, është edhe për miqtë edhe për kombin edhe për kulturën kombëtare. Vath Koreshin, e kam njohur që nga Shkolla Teknike dhe më vonë unë kam pasur bashkëpunime të vazhdueshme kur ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Artit dhe unë punoja më teatrot dhe me varietenë në Fier edhe në Shqipëri në përgjithësi. Më pas ai u bë ministër dhe deputet por, ajo që dua të them për Vathin dhe që është një nga shëmbëlltyrat për t’u marrë si model, ishte që Vathi, pavarësisht nga funksionet e ndryshme politike që i takoi t’i mbulonte si ministër apo deputet, mbeti tërë kohën një njeri i thjeshtë, një njeri i mrekullueshëm, një njeri që vërtetë do të mbahet mend për shumë kohë. Vath Koreshi, i dha rast vetes, mendoj unë, që me vdekjen e tij, të rishikohet edhe njëherë vepra e tij, të rishikohet ajo ç’ farë ai solli moderne, bashkëkohore, shumë të avancuar në stilin, në mënyrën e të shkruarit, në poezinë e thellë që përshkruan tërë prozën narrative. Duke parë volumin e madh të këtij njeriu, i cili relativisht në këto vite që jetoi shkroi shumë, krijoi shumë volum të madh veprash, skenarë filmash, romane, novela, tregime…, kanë qenë të gjitha të kualitetit të lartë. Është vërtetë pikëllim dhe unë duke u ndodhur larg, e përjetova ndryshe nga kolegët e tjerë shkrimtarë dhe artistë vdekjen dhe varrimin e Vath Koreshit, megjithatë, në ditën e varrimit, thellë në shpirtin tim urova dhe iu luta Zotit, që dheu të jetë i lehtë dhe ta kujtojmë përherë si një model të mrekullueshëm, miku, artisti, shkrimtari dhe njeriu civil”, thotë zotëri Pëllumb Kulla.

Shkrimtarja Zhuliana Jorganxhi, e cila jeton Në Trieste të Italisë, ishte njohur me Vath Koreshin që nga vitet 1963/64. Ajo kujton fjalët e Vathit të cilat ishin udhërrëfyese në rrugën e saj si shkrimtare: “Qëndro gjithmonë tek Uni yt lirik”:

“Me shkrimtarin e talentuar Vath Koreshi, i cili para pak ditësh u nda nga jeta, unë jam njohur prej vitesh, në vitet 1963 – ’64, kur ai kishte botuar vëllimin e tij me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës”, dhe të them të drejtën, pata një emocion të madh kur jemi njohur me këtë shkrimtar, megjithëse ai atëherë ishte në fillimet e tija , në botimet e para të tij. Megjithatë, ai bëri emër shumë shpejtë. Më vonë, pasi unë shkova në Tiranë për studime, përsëri aty jam takuar me Vathin, në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku ai drejtonte faqen letrare. Mënyra sesi ai komunikonte me ne talentët e rinj të asaj kohe, ishte për tu admiruar sepse, Vathi dinte të komunikonte, të bënte vërejtjet me shumë takt. Unë nuk e harroj një këshillë të tij, të cilën e mbaj gjithmonë parasysh. Ai më pat thënë atëherë jo vetëm për poezitë por edhe për disa tregime që pata botuar në atë kohë : “Qëndro gjithmonë tek Uni yt lirik”. Dhe unë kësaj këshille i kam qëndruar gjithmonë, që të jap gjithë jetën time në atë çka shkruaj. Gjatë viteve ’68 deri ’73 , unë kam qenë në atë periudhë gazetare e re në revistën që dilte në atë kohë për gruan shqiptare, “Shqiptarja e Re”. I kishim zyrat afër dhe aty ishte një kolektiv shumë i mirë i të rinjve . Në “Zërin e Rinisë”, ishin shumë shkrimtarë si Vath Koreshi, Agim Çerga, Faik Ballanca, te gazeta që pastaj u bë revistë “Pionieri”, ka qenë shkrimtarja Elena Kadare, ka pasur edhe gazetare të reja si Emine Sadiku, Hatixhe Reka…, dhe të gjithë ne të lidhur si një kolektiv shumë i mirë letrar dhe shkrimtar, kishim krijuar një miqësi shumë të mirë dhe të sinqertë. Gjatë gjithë kësaj periudhe unë kam kujtimet e mia më të bukura të jetës sime me Vath Koreshin dhe me miqtë e tjerë. Kështu që, humbja e këtij shkrimtari të madh dhe këtij miku të mrekullueshëm, mua më dhemb shumë dhe e kam ndjerë thellësisht humbjen e tij. Por them që ai mbetet i gjallë mes nesh me veprat e tij, me tregimet, me romanet dhe sidomos me skenarët e mrekullueshëm që i ka shkruar dhe të cilat kanë gjetur jetën në filma të ndryshëm. Për Vathin, nuk gjej dot fjalë të përshkruaj atë shpirt të madh të tij dhe atë talent të mrekullueshëm, atë penë të artë që kishte ai si shkrimtar. Po unë do të thoja edhe këtë që, ai në veprat e tij, ka gdhendur personazhe të figurës së gruas shqiptare dhe këto personazhe nuk janë vetëm në romanet e tij dhe në tregime, por edhe nëpër filma. Gjithashtu, ai ishte një bashkëshort i shkëlqyer, një prind i mrekullueshëm, i kudogjendur për fëmijët e tij dhe them që familja humbi njeriun e saj më të dashur, por edhe në humbëm një njeri të mrekullueshëm, i cili përsëri e theksoj, i cili ka lënë shpirtin e tij mes nesh me veprat e mrekullueshme të tij”, thotë shkrimtarja Zhuliana Jorganxhi.

Kozeta Zylo, shkrimtare dhe ligjëruese ne Universitetin e Nju Jorkut, ishte mike e familjes së Vath Koreshit, ajo tregon për humorin e hollë të Vathit dhe leksionet e tij gjatë bisedave, të cilat ajo edhe sot i ka si moto në krijimtarinë e saj.

“Vath Koreshi, jo vetëm që shkruante, veçanërisht romanin e shkurtër dhe si një nga skenaristët më të njohur në Shqipëri, ai kishte edhe një humor shumë të hollë. Veçanërisht dallohej për humorin e koloritit lokal të Lushnjës, nga i cili ai vinte. Gjithçka më një fjalë e sillte përmes këtij koloriti të Lushnjës së butë, të burrave të shquar të Lushnjës. Por njëkohësisht, duke i bashkuar me kulturën e madhe që kishte, dinte që të bënte jo vetëm një tavolinë për vete por, jam e bindur që edhe në publik ose në stadiume të ishte, vërtetë që njerëzit do të qeshnin me të madhe me atë mençuri që lëshonte përmes fjalëve të tij artistike. Vath Koreshi, vërtetë vdiq fizikisht por vepra e tij ngelet edhe do të duhen mjaftë studiues sepse ai ka akoma gjëra të pabotuara. Kur kam biseduar këtu me studiues të letërsisë, me një nga miqtë e tij të afërt siç është shkrimtari dhe regjisori Roland Gjoza, më tregonte se ka vërtetë akoma gjëra të pabotuara, veçanërisht në poezitë e tij, ai kurrë nuk i hidhte. Ai shkruante jashtëzakonisht bukur. Mua më ka ngelur në kujtesë poezia :

Shpesh ti s’di se ç’bën
Eja pra, të thashë
Mbështetma kokën tani
Mbushmi supet me ujëvarën e flokëve….

Ai ishte vërtetë artist i madh me shpirt, kolos fizikisht. Lexuesi me të vërtetë tek veprat e Vath Koreshit, gjen thesarin e pa zbuluar të letërsisë shqiptare. Në qoftë se veprat e Vath Koreshit, veçanërisht pas vdekjes, studiohen më thellësisht, unë mendoj se aty do të rigjejnë thesarin e pazbuluar të letërsisë shqiptare. Do të ketë një bazë për letërsinë shqiptare, ashtu siç kanë zënë vend edhe shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave të letërsisë shqipe. E vetmja gjë që do të më ngelet në kujtesë, e veçanërisht këshilla e tij, e një shkrimtari të madh është : Që të merresh me krijimtari, në radhë të parë thoshte Vathi, duhet të jesh mjaftë i komunikueshëm me publikun, se në qoftë se njeriu nuk është i afërt me publikun, kurrë nuk mund të krijojë vepra madhore. Dhe ajo që më ngelet akoma në kujtesë, është që temat duhet të merren nga realiteti, nga populli vet, nga jeta e përditshme, se vetëm ashtu publikun mund ta bësh për vete. Kështu që, unë këto fjalë të Vath Koreshit, i kam si moto në krijimtarinë time”, kujton Vathin Kozeta Zylo, shkrimtare.

Edhe Merita Bajraktari Mc Cormak, gjithashtu shkrimtare shqiptare që jeton dhe vepron në Nju York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, evokoi kujtime nga një takim pune me Vath Koreshin, në Zagreb.

“Me profesor Vath Koreshin, unë kam pasur fatin e mirë që të njihem në Zagreb të Kroacisë. Profesori ishte i ftuar në Kroaci nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, nga Biblioteka Shqiptare, në Zagreb. Dhe në takimin që ai pati me komunitetin shqiptar të Kroacisë, unë pata fatin të jem aty sepse në atë periudhë ne ishim të vendosur me punë në Zagreb. Si personalitet, ne të gjithë e njihnim. Profesor Koreshi, siç e thërrisnim të gjithë, ishte i dashur, ishte i ëmbël, i papërtuar, iu përgjigjej të gjitha pyetjeve, më aftësitë e tij intelektuale, me aftësitë e tij profesionale dhe mbi të gjitha kishte një humor të mrekullueshëm. Më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme humori i tij. Nuk ngurroi të na jepte edhe librat e tij që kishte shkruar. I vinte keq që nuk kishte kopje për të gjithë, por na dhuroi autografe, na dhuroi libra, na dhuroi buzëqeshje dhe momente shumë të këndshme. Vërtetë më vjen keq që në një moshë relativisht të re, ndahet nga kjo botë. Zoti i faltë parajsë.

Përgatiti Vera Pelaj

Kthehu në Kulturë

Na shkruani