Filip Shiroka (1859 - 1935)
 

Filip Shiroka (1859 - 1935)


Lindi në Shkodër më 1859. Aty kreu edhe shkollën italiane të qytetit. Më vonë punoi si libralidhës. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit ishte një ndër pjesëmarrësit e saj.

Për t'u shpëtuar ndjekjeve të qeverisë osmane më 1880 u largua nga Shqipëriadhe u vendos në Egjipt. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha.
Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë.
Vdiq në Bejrut të Libanit më 1935. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903, i përmblodhi në vëllimin me titullin "Zani i zemrës". Në vjershat e tij më të mira që i kushtohen mallit për atdhe ose misionit të poetit, gjejmë çiltërsi e rrjedhshmëri vargu.

Melankonia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë te Rilindjes. Vjershat "Shko dallëndyshe" dhe "Dallëndyshe eja" janë më të njohurat e tij.

Shko Dallëndyshe


Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.

Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.

Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.

T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.


Toka Shqiptare 2005 © Të gjitha drejtat e rezervuara