Naim Frashëri (1864-1900)

Jeta dhe Vepra

Më tutje

Bagëti e Bujqësi

Më tutje

Fjalët e Qiririt

Më tutje

Shkendij e Diellit ndaj Manushaqes

Më tutje

Zogu dhe djali

Më tutje

Gjuha jonë

Më tutje

 

Jeta dhe Vepra (1864-1900)

Fytyra më popullore e Lëvizjes sonë kombëtare qe poeti e patrioti i madh shqiptar Naim Frashëri. Djalë i një beu të vogël të rënë nga vahti, ai u lind në Frashër më 25 maj të vitit 1846. Frashëri dikur kishte qenë qendër e lulëzuar tregëtie, por me kohë kishte rënë rëndësia e tij. Frasheriotët tani merreshin më shumë me nëpunësi. Por Frashëri ishte i njohur edhe si qendër bektashiane. Aty jetuan dhe vepruan shkrimtarët bektashianë si Dalipi e Shahini. Naimi mësimet e para i mori te hoxha i fshatit. Aty mësoj turqisht e arabisht. Më 1865 Naimi, së bashku me familje, shpërngulet për në Janinë. Si nëntëmbëdhjetë vjeçar, së bashku me Samiun, regjistrohet në gjimnazin ,,Zosimea’’ të Janinës. Në gjimnaz fiton një kulturë mjaft të shëndoshë. Aty njifet me letërsinë klasike greke e romake. Naimi i njef edhe idetë përparimtare të iluminizmit freng. Këto ide bëjnë përshtypje të madhe te Naimi.

Jashtë shkollës, Naimi mësoj edhe në gjuhën persishte. Veprat e shkrimtarëve persianë Sabi e Xhelaledin Rumiu e pushtuan shkrimtarin. Dhe Naimi, për herë të parë, zu të vjershërojë në gjuhën persishte. Vepra e tij në gjuhën persishte ,,Tehajylat’’ (Ëndërrimet), u botua në Stamboll më 1883. Më 1870, pas kryerjes së gjimnazit, Naimi shkon për punë në Stamboll mirëpo, atje nuk qëndroj gjatë sepse iu çfaq tuberkulozi. Kështu, ai kthehet në Shqipëri që në malet e saj të larta të gjejë shërim. Këtu ai qëndroj dy vjetë ku një kohë ai punoj si nëpunës të dhjetash në Berat e drejtor dogane në Sarandë. Me qëllim që të shërohet, Naimi shkon në Ilixhat e Badenit në Austri. Atje ai viziton muzeun e Vienës ku sheh edhe armët e Skënderbeut. Aty shkrimtari frymëzohet nga idetë patriotike dhe shkruan poezinë ,,Parajsa’’.

Ngjarjet e viteve 1878-1881 (formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe lufta e ushtrisë së saj vullnetare kundër Turqisë), e gjetën Naimin në jug të Shqipërisë. Poeti nuk mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878, por qe një ndër organizatorët e kësaj lidhje. Ai në Frashër, bashkë me patriotët tjerë organizoj mbledhje që ti vij në ndihmë Lidhjes së Prizrenit dhe t’i përkrahin vendimet e saj që Shqipëria me armë në dorë t’i mbrojë kufijtë etnikë kundër çdo coptuesi.

Në jetën e shkrimtarit dallojnë dy faza: faza e parë përfshin veprat e shkrimtarit që tek Lidhja e Prizrenit. Gjatë fazës së parë shkrimtari është i shkëputur nga realiteti shqiptar, është më tepër ëndërrues dhe nuk është i lidhur me Lëvizjen Kombëtare. Kësaj faze i përket vepra ,,Tehajylat’’. Fazës së dytë i përkasin veprat më të rëndësishme të Naimit. Gjatë kësaj faze ai u bë fytyra qendrore e Rilindjes Kombëtare. Ai u bë ideologu i Lëvizjes Kombëtare. Pas Lidhjes së Prizrenit, kur më 1881,Avdyli u arrestua nga policia turke, Naimi u vu nën shënjestrën e policisë. Ai atëherë, së bashku me familje u shpërngul nga Janina në Stamboll. E kësaj kohe është poezia ,,Shqipëria’’. Poezia i pëlqen shumë Jani Vretos, i cili e mori dhe e botoj në Bukuresht më 1881. Në Stamboll Naimi është anëtar i Komisionit të Qendrës, pronë e Ministrisë së Arsimit në Turqi. Si i tillë Naimi ndihmoj shumë daljen në dritë të disa revistave si: ,,Drita’’ dhe ,,Dëshira’’ e Sofjes. Ai ndihmoj edhe botimin e shumë veprave të shkrimtarëve tanë, ndërkohë botoj edhe vetë. Mundësoj botimin e gramatikës së Kristoforidhit dhe punën e Shoqërisë së Bukureshtit. Në Shoqërinë e Bukureshtit u botuan dhjetë vepra nga të cilat gjashtë ishin të Naimit, dy të Samiut kurse dy të tjera ishin të Jani Vretos. Këtu u botua vepra ,,Bagëti e Bujqësia’’, ,,Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve’’ greqisht etj. Naimi ndërhyri pranë organeve turke që të fitohet leja e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Më 1890 Naimi botoj përmbledhjen poetike ,Lulet e Verësë’’, më 1894 ,,Parajsa’’ dhe ,,Fjala fluturonte’’. Më 1898 botoj poemat ,,Qerbelaja’’ dhe ,,Istori e Skënderbeut’’.

Naimi vdiq shumë i ri, më 20 tetor 1900 në Stamboll. Vdekja e Naimit qe një zi e madhe kombëtare. Shtypi shqiptar i kohës shkroj mbi këtë humbje të madhe. Çajupi shkroj një poezi elegjike (vajtimi) mbi vdekjen e Naimit. Por është vetë Çajupi që do t’a marrë në dorë flamurin e Lëvizjes Kombëtare.

Krijimtaria

Naimi filloj të shkruaj që në fëmijëri nën ndikimin e bejtexhinjëve. Te ai ndikuan shumë bejtexhinjtë si Dalipi e Shahini.Naimi u ndihmua shumë dhe nga letërsia persishte. Krijimtaria e tij, siç u tha më lart, ndahet në dy faza. Faza e parë, krijimtaria e tij deri në Lidhjen e Prizrenit dhe e dyta nga Lidhja e Prizrenit e deri në vdekjen e poetit.

Epika e Naimit

Veprat epike të Naimit janë: ,,Qerbelaja’’ dhe ,,Histori e Skënderbeut’’ të cilat u shkruan gjatë viteve 1890-1895. ,,Qerbelaja’’ përveç rëndësisë gjuhësore nuk ka rëndësi tjetër. Këtu shkrimtari na flet mbi historinë e krijimit të botës sipas fesë islame.

Vepra madhore e Naimit është ,,Histori e Skënderbeut’’ botuar më 1898. Kjo është një histori e vjershëruar kushtuar luftës 25 vjeçare të popullit shqiptar kundër dëpërtimit turk në Ballkan dhe në Europë. Duke shkruar ,,Historinë e Skënderbeut’’ shkrimtari kreu një ndër porositë e rilindasve: t’i ngreh një monument historik luftës së popullit shqiptar kundër pushtimit turk. Rrethanat në të cilat u shkrua vepra, janë po ato në të cilat u shkrua vepra e Samiut. Në të shkruarit e veprës Naimi u shërbye me veprën e humanistit të madh shqiptar Marin Barlecin. Naimi sigurisht nuk do të kiushte pasë në dorë veprën origjinale të Barlecit mbi Skënderbeun, pasi që ajo ishte e rrallë në kohën e tij, por shkrimtari do të ketë shfrytëzuar ndonjë nga përshtatjet e veprës së Barlecit në gjuhë të huaja. Naimi shfrytëzoi edhe veprën e shkrimtarit Biemmi mbi Skënderbeun. Naimi i qëndroj besnik Barlecit, sepse ky, sipas tij është njohës i mirë i jetës dhe veprës së Skëndebeut. ,,Barleci do t’i ketë parë me sy ngjarjet’’, thotë Naimi. Ashtu sikurse edhe Barleci, Naimi në mënyrë kronologjike na pasqyron ngjarjet e kësaj periudhe duke i bërë vetëm ca ndryshime të parëndësishme në vepër.

Vepra fillon me ardhjen e të deleguarve të Sulltan Muratit në oborrin mbretëror të Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut. këta sjellin me vehte një shkresë të cilën ia dorëzojnë Gjonit, pastaj presin përgjegjën. Shkrimtari na përshkruan pamjen e shëmtuar të turqve dhe jetën e lumtur dhe të gëzuar të shqiptarëve para ardhjes së turqve. Në letër Sulltani i Turqisë kërkon që Shqipëria t’a njohë pushtetin suprem të Turqisë e të bëhet vazale e saj. Si peng të ,,miqësisë’’ Turqia ka kërkuar që Gjoni t’i dërgojë në oborrin mbretëror të Sulltanit të katër bijtë e tij. Ata mund të vijnë në Shqipëri sa herë që të duan dhe pas vdekjes së Gjonit, ndonjëri prej tyre, do ta zë vendin e tij. Gjoni, pasi mendon gjatë, i thërret princët e Shqipërisë që të konsultohet me ta. Ky vetë është i mendimit që të pranohen kushtet e rënda turke, pasi Shqipëria nuk mund t’i bëjë ballë Turqisë e cila ishte në kulmin e fuqisë së vet. ,,Pas lidhjes së miqësisë’’ thotë Gjoni, ne duhet të përgatitemi për luftë kundër Turqisë.

Naimi ka meritën e madhe sepse në vepër na flet edhe mbi rolin e shëmtuar të Venedikut e të Serbisë së Brankoviqit i cili kishte pranuar pushtetin suprem turk. Edhe Europa qe e pabesë ndaj Shqipërisë sepse në këtë luftë vigale, ku forcat ishin të pabarabarta, nuk e ndihmoj Shqipërinë. Shkrimtari flet me simpati për Huniadin e Hungarisë dhe Vlladisllavin e Polonisë, dy aleatët e Shqipërisë. Naimi nuk na flet mbi përçarjet shqiptare, sidomos mosmarrëveshjet në mes të Skënderbeut e Lekë Dukagjinit i cili donte të jetë në vehte. Ai do ta tregojë këtë kohë si kohë bashkimi të plotë të popullit shqiptar. Në vepër, Skënderbeu është figura më e përsosur heroike: trim, diplomat, i dashur, me masa, i rreptë në betejë, i mëshirshëm ndaj robërve të cilët shpeshherë i falë, bujar, i pashëm dhe i fuqishëm. Meritë e madhe e Naimit është sepse masave shqiptare u jep vend të merituar. Ato janë të tubuara rreth heroit kombëtar dhe korrin suksese të njëpasnjëshme kundër turqve. Skënderbeu arriti t’a bashkojë popullin shqiptar dhe me një ushtri ndonëse të vogël, në krahasim me atë turke, t’i fitojë afro tridhjetë betejat. Ushtria shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut manovron shpejtë, e godit armikun ku ky nuk e pret, atë e ndihmojnë dhe masat si dhe vendi. Në ushtrinë shqiptare dalin edhe tradhëtarë nga më të afërmit e Skënderbeut si: Ballaban Pasha, Mojsi Golemi e Hamzai. Mojsi Golemi dhe Hamzai pendohen për tradhëtinë e tyre dhe kërkojnë falje nga Skënderbeu. Ky i falë dhe u jep mundësinë të shlyejnë turpin ndaj atdheut. Në luftrat e mëtejme këta tregojnë trimëri të madhe dhe vriten në luftë. Ballaban Pasha deri në fund të jetës nuk pendohet për tradhëti. Ndonëse Skënderbeu e falë dhe e pranon në ushtrinë shqiptare, ai nuk heq dorë nga tradhëtia sepse don të jetë i pari në Shqipëri. Ai vritet nga dora shqiptare. Figurë pozitive është e ëma e Skënderbeut. Emrin e saj Mamicë, Naimi e shqipëron - Manushë. Pasi humb të bijtë të cilët nuk i sheh më, ajo bie nga shëndeti dhe vdes në një natë të ftohtë dimri me fjalët: ,,bijtë’’.

Dy Sulltanët më të mëdhenj të Turqisë, Mehmeti e Murati janë figura të urryera të veprës. Në vepër hasim edhe elemente mitologjike e fantastike, siç është falitja e të atit të Skëndebeut në fushatën e Sirisë. Tek Naimi nuk ka ndikuar folklori mbi Skënderbeun i cili ishte i gjallë vetëm në veri të Shqipërisë. Në jug të Shqipërisë, ku jetonte Naimi, nuk kishte folklor mbi Skënderbeun.

Vepra është e shkruar me një gjuhë të pastër e me shumë figura stilistike

Më tutje




Bageti e Bujqesi

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.

Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.


Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres këngës e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.

Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.

Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.

Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm' e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë q'është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër'i ëmbël' i bagëtisë,
Qëngji edhe kec'i bukur, që rri më gjunj' e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet' e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t'ëmbël' e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz'i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn' e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i shpie Perëndisë

Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,
Qielli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç'janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj'erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq' e dheut! S'të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S'i ka mbetur gas në zemrë, se s'i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzëplasur,
Se përtimn' e zi, q'e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s'thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh' atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul'e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh'e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.

O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez' e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm'e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q'u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn' e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj'i ftoht' e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s'e duronj dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj' ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap' aty ndër ju ta gjenja.

Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët' e djalërisë, o moj kohëz' e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt' e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër'i bagëtisë;
Marrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh'e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilido ndih më nj'anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.

Stopani, bër'i zi sterrë, shikon bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q'u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...

Kec'i mbeturë pa mëmë dhe i varfër' e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez'i pyllit krism' e sëpatës s'druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell'i shterparit.

Shterpari s'i qaset stanit, po nër pyje bij'e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S'i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik', as nga lis'i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli, as gogolëtë s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm' e motërë xhuranë;
Miqt' e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S'e hanë njerin' e mirë edhe mikun' e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.

Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.

Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z'eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun' e zë edh'e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkon,
Papo bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht' e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij'e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë

E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht' e butëz' edh'e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur.

Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.

Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok' e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s'rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t'ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,

Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën' e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s'e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën' u qoftë.

Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t'i shohë, t'i ketë kujdes, t'i dojë.
Të mos t'i mundojmë kurrë, po si fëmijë t'i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie
Me këto mijëra fjalë e me gjuhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalët që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q'është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir' e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t'i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;

Krojënë e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m'e munt mren e Tyrqisë.
Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
O fushazëtë pëllore, që m'ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht' e më ndih pakë, o motra im'e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball' e gush' e faq'e llërë dhe këmb' e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat' e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz' e dheut, q'i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s'mbetetë thatë,
I dhe lul'e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet' e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç'vent'i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t'u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir'i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër' e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri' atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen' e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t'i than lulet, ti me një frym' i ngjall prapë,
Napënë q'u heth përsiprë, ua heq me ver' e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë...

Shërbëtor'i mëmës' së dheut, q'e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari 'shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t'vërtetë dhe zihet nga pun' e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit' e natë e të bësh ç'duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t'apë bukëz' e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t'ep Perndija.
Puna ka duk e uratë, Zot'i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver' o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot'i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san' i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç'ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S'është çudi pse na dëfren ver' e bukur zemrën tënë;
Ç'ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q'i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng' e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën' e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn' e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.

Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin' e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn' e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith' e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q'e çpërblen punën e djersën e mundimn' e njerëzisë.

Qysh rroit mblet' e uruar dhe ven' e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç'punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn' e mirë!
N'apin dyllëtë, q'ep dritë, dhe mjaltë fjesht' ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët' e mirë m'atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t'atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t'harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar' e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.

Edh' ajo miza përdhese, ç'i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz' e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q'është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot'i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n'avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj'udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj, e këmb' e dorë;
Ngrihet i zot'i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh'e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën' e të pirë.

Kështu të huajt' e miqtë njeriu q'është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq'e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest' e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet' e bukura m'erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë -- puna mbarë --
Kapo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t'ëmbla shumë mejtime.

Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët' e bardha dhe të majm'e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët' e kërthijta.

Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer' e përkëdhelur vjen në lumë të pij' ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum' i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh'e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
Veç një vashëz' e mjerë qan të motrënë, q'e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez' e saj, e përzieshmez' e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt'i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s'humbetë kurrë e gjë s'vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith' edhe njerëzija.

Këtu janë gjithë ç'janë e gjithë ç'gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot'i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s'ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin' e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q'ish me lulez' e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin' e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.

Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.

Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të zgjonjë.

Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell' e më thellë,
C'do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t'i ket ënda!
Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.

Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

Më tutje




Fjalet e Qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.

Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.

Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.

Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.

Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.

Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e shkretë
Për atë zotn' e vërtetë.

Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.

Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.

O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.

Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.

Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.

Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.

Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.

Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?

Më tutje




Shkendij e Diellit ndaj Manushaqes

Manushaqe bukuroshe,
Pse s'ngre kryete perpjete,
Po rri e mpit' edh' e qete,
Pse s'zbukuroh e s'shendoshe?

Pa shiko lulet' e tjera,
Q'u cel' e u lulezuan,
Shih, pa shih c'u zbukuruan,
I ngjalli perseri vera.

O lulez' e Perendise,
Qe te mbolli vete Zoti,
Zgjohu tani q'u ngroh moti,
Erdhi koh' e gjallesise ;

Se dheu anembane mbleroi,
E te vdekurit' u ngrine,
Gjithe c'jan' u perserine,
Zoti nga gjum' i rend' i zgjoi.

Me dergoi dhe tek ti Zoti,
Qe te t'ap jetez' e dite,
Te te bije shpirt e drite,
E te behesh si qemoti.

Pej qiellit bukurine
Edhe nga parajsa ere
Te kam prure kete here,
Po hape, pa hape gjine.

Hap syt' e qesh dhe gezohu,
Se gaz te math te kam prure,
Mos me rri si e semure,
Po celu e zbukurohu.

Shpendera, hithera, ferra
persiper te kane rene,
Dritene ta kane zene
Me flete shume te gjera;

Te kane kallure gjemba,
Qe te cpojn' e te lendojne
Edhe gjakne ta helmojne,
Qe te levrin neper rremba.

Dhe ca nga fletet' e tua
Me te huaja perzjere,
Secila do te te bjere
Demn' e vdekjene pothua.

Oh! fletete qe i rrite,
Duke nxjerre nga gjiri yt,
T'u bene si hale ne syt
Pa m'u fishk' e m 'u drobite!

Dimer' t math me debore,
M e te ftoh t' e me te ngrite
E m,e gjithe ligesite,
Te la. te mjer' e te gjore;

Ah, ta xbriti bukurine
Dhe gjellimn' e gjithe c'kishe,
Vdiqe, u trete, u prishe,
Te thate te shoh tanine!

Po mos u tremp, behu trime
Edhe ki durim e shprese,'
E pa silli Zotit bese,
Dhe kesaj fjalese sime.

Dheu ishte nje her' i shkrete,
Gje te gjalle nuke kishte,
Dhe fare i rjepur ishte
Pa fill bar e pa nje flete!

Ndaj soje gje s'piperrinte,
Po brenda ne ate brume
Ishte nje shpirt i math shume,
Qe prit kohe te bucinte.

Nga ay shpirt i pa ane
Gjerera pa funt u ngrine,
Qe edhe sot ven' e vine,
Edhe te sosure s'kane.

Kush pandeh' te dil nga dheu
Gjithe ky rremet q'eshte sot,
Oh!prevec se i madhi Zot,
Qe me doret te ti e kreu.

Ay, i qofshime fale
I dha shpesit fluturimne,
Njeriut mendjen e mejtimne,
Edhe njerezi e fjale.

Tani me kane derguar
Nga fron i lart' i Perendise,
Si engjellin e Marise
Me fryme te shenjteruar .

Me s'me mba as gjemp as flete,
Se kam ardhur me shume mall,
Nde gjithit tent dua te ngjall
Zotn' e math e te vertete.

Më tutje




Zogu dhe djali

Nje zok te bukur zuri nje djale,
Ay po dridhej dh' i thosh ca fjale :
«Nuke te vjen keq qe jam i mitur ,
Si ti i vogel e s'jam dhe rritur?
Jam bir i vetem e mema me pret,
E kam lene keq brenda ne folet.

Dheu me debore qjith' u mbulua,
Me; s'ka mbetur dhe gjekunt pothua!
Vuanj i gjori dit' edhe nate
E s'gjenj dot asnje druthe te thate!
E sheh sa u prish fort i shkreti mot,
Urie vdiqme, me s'durojme dot,
Zemerse sime i lidhe gur ,
Po mem' e zeze q'esht' e semure?
Kerkonj e kerkonj, e kam qe di.je
Qe s'munt te gjenj dot gjeze t'i shpije.

Ah! k.jo e keqe ketu me pruri,
E gracka jote ra e me zuri!
Me pret im meze, si ty jot eme.

Te mos t'i vete, c'benete preme?
Te zesthite na perse na ngini?
Ne punet tene perse s'na lini?
Kam dhe une shpirt dhe dua te rronj,
Te lecinj, te breth, te los, te kendonj,
Une, qe s'kam ment, {si thote njeriu),
Kujt i bera keq? C'bera un' i ziu?
Le, mos me mundo, se Zoti te sheh,
Te miren' edhe te ligen' e njeh,
E -s'do te ligen, po do te miren,
Do butesine, nuk' egersiren,
Te drejtene do dhe urtesine,
S'do faqezine e babezine,
Mua te lire me beri Zoti
perse me ben rob? Nga une C'do ti?,.,.
Fjalet' e zogut djali i degjoi,
Qau edh' e puthi, pastaj e leshoi.

Më tutje




Gjuha jonë

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm' udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N'atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q'i shkruan istoria!

Ajo ish koh' e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh'e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum'e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s'e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S'mbulohetë me remë.

Më tutje

Na shkruani Na shkruani
Na shkruani