Sami Frashëri (1850 - 1904)

Jeta dhe Vepra

Më tutje

Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhet

Më tutje
KÂMÛS AL-A'LÂM - Personalitetet Shqiptare
Më tutje

Fjalori Terminologjik

Më tutje

 

Sami Frashëri Jeta dhe Vepra (1850 - 1904)

Dijetari i madh dhe ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Sami Frashëri, u lind në katundin Frashër të Shqipërisë në qershor të vitit 1850. Mësimet e para Samiu i nxuri në Frashër nga muderrizi Mahmut Efendi Tetova. Në moshën nëntëvjeçare i vdiq i ati, e dy vjet më vonë, pra më 1861 edhe e ëma. Të mbetur kështu, pa prindër, për të dhe për tërë familjen (gjithsej ishin gjashtë vëllezër dhe dy motra), sipas traditës shqiptare, duhej të kujdesej vëllai më i madh, Abdyli. Meqë Frashëri, vend malor, Abdyli nuk shihte ndonjë perspektivë të madhe aty, prandaj, për t'ua mundësuar shkollimin vëllezërve të tij, më të vegjël dhe për të krijuar kushte më të mira, vendosi të transferojë familjen në Janinë, kryeqytet i vilajetit të atëhershëm.

Posa u vendosën në Janinë në vitin 1861, Samiu, krahas mësimit të turqishtes, arabishtes dhe persishtes te muderrizi Jakup Efendiu, bashkë me të vëllanë, Naimin, u regjistrua në gjimnazin e njohur Zosimea, të cilin e mbaroi para kohe; për shtatë vjet në vend për tetë sa ishte paraparë, gjë që tregon forcën intelektuale të tij. E mbaroi më 1868 që e dëshmon edhe diploma e cila mban datën e 14 korrikut të këtij viti , e jo më 1871, siç e marrin disa. Samiu këtu kishte mësuar edhe njohuri të reja: greqishten e vjetër dhe të renë, frengjishten, italishten, latinishten, pastaj, gjeografinë, historinë, matematikën, kozmografinë, historinë e natyrës dhe anatominë.

I pajisur kështu me një kulturë të Lindjes, nga njëra anë, dhe të Perëndimit, nga ana tjetër, tre vjet pas mbarimit të gjimnazit, shkoi në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ku do të vazhdojë punën e tij krijuese plot 33 vjet, deri në vdekje, në qershor të vitit 1904. Kur erdhi në Stamboll Samiu nuk i kishte më shumë se 21 vjet; i ri për nga mosha, por i pjekur dhe i ngritur për nga dituria, pa u menduar shumë, ia nisi punës për të botuar pas një viti veprën e tij të parë dhe njëherësh romanin e parë në letërsinë turke "Taa½½uk-i Talat ve Fitnat” .

Sami Frashëri shkroi shumë, mbi 60 vepra: shqip, turqisht, arabisht, persisht, disa prej tyre me shumë vëllime . Pastaj, revistat “Aile” (Familja) dhe “Hafta” (Java), revistat më serioze të kohës, ishin kryekëput të tijat, po edhe në gazetat e tjera të kohës artikujt e Samiut zinin vendin kryesor.
Veprimtaria e Samiut është e shumanëshme, vëllimore, por ç'është më e rëndësishme, cilësore, origjinale dhe gjithnjë aktuale. Veprat e tij në gjuhën shqipe, pa pretendim se do t'i përmendim të gjitha, në krahasim me veprat që i shkroi në gjuhën turke, janë të pakta, mirëpo këtu Samiu i preku çështjet më të ndieshme, më të domosdoshme dhe më me interes për popullin shqiptar: hartoi alfabetin shqip, shkroi gramatikën shqipe, siç e quan ai, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” , që kishte rëndësi jo vetëm shkencore, por edhe më gjerë. Pastaj shkroi veprën, ose më mirë të themi kryeveprën e veprave shqip “Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet” ? Sa i kthjelltë, çfarë force intelektuale dhe sa largpamës ka qenë Samiu, pa dyshim, mund të shihet në këtë vepër, ku para njëqind e sa vjetësh i shtron pikëpamjet e veta për një shtet të fortë, demokratik dhe të organizuar shqiptar.

Ndërkaq, në veprën në gjuhën turke Samiu, thuajse nuk la fushë të shkencës pa e shkelur, në shumë prej tyre ishte edhe pioner. Shkroi vepra letrare, filologjike, linguistike, dialektologjike, islamologjike, didaktike, leksikologjike etj . Sa për kuriozitet po i përmendim vetëm veprat nga fusha e leksikologjisë, ku hartoi fjalorët: Frengjisht-turqisht me afër 50 mijë fjalë; Turqisht-frengjisht me afër 35 mijë fjalë; Arabisht-turqisht ; Fjalori i gjuhës turke me 1575 faqe, me afër 45 mijë fjalë, i punuar me një metodologji bashkëkohore; jep etimologjinë e fjalëve, llojin e fjalëve (emër, mbiemër, folje etj.), kuptimet e fjalëve sipas rëndësisë së tyre (1,2,3 etj.), frazeologjizmat, kuptimet figurative, përdor shenjat diakritike për shkronjat arabe - osmane, të cilat në gjuhën turke kanë mundësi të lexohen në disa mënyra, i vokalizon fjalët që kanë mundësi të lexohen në mënyra të ndryshme etj. Ky është fjalor normativ i gjuhës së atëhershme turke dhe do të shërbejë si bazë për shumë fjalorë të mëvonshëm. Në këtë fushë Samiu fitoi famë të madhe. Megjithatë, vepra e cila e bëri Samiun shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti, pa dyshim është: KÂMÛS AL-A'LÂM

Më tutje





Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhet

Është një nga veprat madhore të Rilindjes, manifesti politik e ideologjik i saj. U botua në Bukuresht më 1899, në prag të ngjarjevetë mëdha do të çonin në fitoren e pavarësisë. Për këtë, shqiptarët duhet të ishin të pregatitur, të kishin programin e luftës dhe të ndërtimit të shtetit të ri. Duke përgjithsuar përvojën e gjerathershme të lëvizjes kombëtare, kjo vepër e plotësonte më së miri këtë mision.

Siç tregon titulli, vepra përbëhet nga tri pjesë.

Pjesa e parë i kushtohet historisë së kaluar të Shqipërisë. Qëllimi i autorit është të provojë se populli shqiptar është nga popujt më të vjetër të Evropës, me një gjuhë nga më të vjetrat e më të bukurat, me kulturë e tradita të pasura, që ka të drejtë të jetojë i lirë në mes të popujve të tjerë dhe kombeve të qytetëruara. Si shumë rilindës të tjerë, Samiu mbron origjinën pelazgjike të popullit shqiptar.

Një vend me rëndësi i jep në këtë pjesë figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Skënderbeun e cilëson si një burrë që i ka shokët e rrallë në histori, kurse për epokën e tj shkruan se "është m'ë bukur e m'ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë„, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën. Kjo është një nga synimet kryesore të veprës; të forcojë te shqiptarët ndërgjegjjen dhe krenarinë kombëtare.

Pjesa e dytë jep me nota tronditëse një tablo realiste të Shqipërisë pas Tanzimatit. "Qysh janë sot shqiptarët?„-pyet Samiu me shqetësim dhe tregon se gjendja e vendit është e mjeruar nga çdo pikpamje. Burimin e këtij mjerimi ai e sheh në rradhë të parë te zgjedha e huaj, që e ka lënë vendin në varfëri, padituri, dhe errësirë. "Shqiptarët, - shkruan Samiu, - janë robër të poshtuar(poshtëruar) e t'unjurë, të shkelur e të çpërnderë(turpëruar).

Përshkrimi është edhe më i gjallë në kontrast me të kaluarën, të cilën në përgjithësi autori e idealizon. Ndaj dhe stili bëhet më zemërak, vepra e patriotit vlon nga revolta kundër shtypjes kombëtare. Ata shqiptarë të veshur dikur me "roba të arta„ e të farkëtuar me armët e argjëndta të trimërisë, shkruan Samiu, "Janë sot lakuriq, me një këmishë që që s'ka ku ta zërë qeni. Vetë edhe zaptieja e taksidari, e ngre shkopnë e i rreh duke thirrur; Pagoni! E ku të gjejë i ziu që të paguajë? Atëherë shesin kanë, dhinë, ç'të kenë, edhe gjer në qeramidhet e shtëpisë„.

Vend të rëndësishëm zë analiza që Samiu u bën rreziqeve që i kanoseshin Shqipërisë.

Si gjithë rilindësit, ai mendonte se rreziku i parë Shqipërisë i vinte nga Perandoria Osmane, të cilën Samiu e quante një të vdekur që duhej varrosur sa më parë. Sa më gjatë të mbetej lidhur Shqipëria me këtë perandori të kalbur, aq më keq do të ishte. Shteti osman dotë shembej së shpejti dhe Shqipëria mund të groposej në gërmadhat e tij. Rreziku tjetër, mendon Samiu, shqiptarëve u vinte prej lakmive të shovinistëve fqinjë, lakmi që i mbështetnin fuqitë imperialiste.

Rreziqe të mëdha shqiptarëve edhe prej grindjeve e përçarjeve midis tyre, sidomos prej përçarjes fetare, gjithashtu prej padijes, prej mungesës së shkollave shqipe. Këto rrethana i hapnin shteg rrezikut të asimilimit të shqiptarëve prej të huajve.

Pjesa e tretë, fillon me pyetjen: "A mund të qëndrojë Shqipëria si është? Përgjigjja është, jo„. Në përgjithësi në këtë pjesë Samiu paraqet programin e lëvizjes për të ardhmen e Shqipërisë.

Nga analiza që u bëri rrethanave politike në fund të shekullit XIX, Samiu arriti në përfundimin se rruga e vetme për të shpëtuar nga zgjedha osmane dhe nga rreziku i copëtimit prej shteteve fqinje ishte që Shqipëria të shkëputej nga Turqia menjëherë, para se ajo të shembej dhe shqiptarët të formonin shtetin e tyre të pavarur. Autori mendonte se kjo s'arrihej me lutje, por me rrugën e luftës së armatosur. "Shqiptarët duhet t'i marrin ato që duan me pahir, t'i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot„.

Si mendimtar demokrat dhe iluminist, Samiu parashtron një projekt të gjerë me ide të përparuara për të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë. Si formë regjimi sipas tij, Shqipëria duhet të ishte republikë parlamentare që do të kishte në krye një pleqësi. Kushtetuta e shtetit të ardhshëm shqiptar që propozonte Samiu, përshkrohet nga fryma demokratike. Ideali i tij për këtë shtet ishte ideali i një demokracie borgjeze. Si shprehës i pikëpamjevetë klasës së re të borgjezisë, ky ishte një ideal i përparuar për kohën, sepse ai i kundërvihej shtetit despotik osman.

Shumë i guximshëm e i përparuar për kohën ishte projekti i Samiut edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej bujqësia, të zhvillohej komunikacioni automobilistik dhe hekurudhor, të forcohej mbrojtja etj. Vëmendje të veçantë Samiu i kushtonte zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare. Si gjithë rilindësit, ai kishte bindjen se ajo që u duhej më shumë shqiptarëve ishte dituria. Për përhapjen e saj ai kërkonte një sistem arsimi të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë, djem e vajza. Arsimin e donte në gjuhën amtare shqipe dhe shkolla të ishte laike, e shkëputur nga kisha e xhamia, një shkollë që të shërbente si vatër diturie dhe atdhetarizimi.

Samiu ëndërronte Shqipërinë me shkolla të të gjitha kategorive, me universitet ("gjithëmësime„ siç e quante ai), me akademi të shkencave, muzeume e biblioteka.

Siç shihet, në veprën "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet„ gjeti shprehje mendimi shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës. Me këtë vepër Samiu u bë ideologu më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij është një traktat politiko-shoqëror, megjithatë ajo ka vlera të mëdha stilistike, një gjuhë e gjallë, e shprehëse. Stili i prozës së Samiut është energjik, herë polemist, herë fshikullues e herë me patos thirrës e mobilizues. "O burrani o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t'ju shpëtojë!„

Fraza e Samiut është e qartë, me mjete gjuhësore plot ngarkesë emocionale. Mbasi ka parashtruar krejt programin e tij, ja si e mbyll veprën; "Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s'ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!„

Kjo vepër solli një ndihmesë të madhe për pasurimin e gjuhës letrare shqipe dhe për formimin e stilit publiçistik.

Samiu vdiq në Stamboll më 1904, i përndjekur nga autoritetet dhe i respektuar nga populli dhe opinoni përparimtar.

Më tutje

Toka Shqiptare 2005 © Të gjitha drejtat e rezervuara